Njerëzit me prediabet kanë nivele më të larta se normalja të nivelit të sheqerit në gjak dhe ndonjëherë, por jo gjithmonë, mund të zhvillojnë diabet të tipit 2. Mjekët duhet të jenë tashmë në gjendje që të menaxhojnë këtë rrezik, falë një studimi që identifikoi 6 lloje të ndryshme të prediabetit.

Në një analizë që përfshiu të dhënat prej 25 vitesh të 899 personave, ekspertët ishin në gjendje që të kategorizonin 6 nëntipe falë disa tipareve të përbashkëta, përfshirë nivelet e glukozës, yndyrën e mëlçisë, shpërndarjen e yndyrës trupore, nivelet e lipideve në gjak dhe rrezikun genetik.

Këto nëntipe, apo grupe, përmbajnë nivele të ndryshme të rrezikut kur vjen puna për të zhvilluar diabet të tipit 2 dhe kjo mund t’i vijë në ndihmë ekspertëve të shëndetit që të krijojnë trajtime të duhura, ashtu sikurse të menaxhojnë prediabetin dhe problemet e tjera që vijnë me të.

“Për njerëzit me prediabet deri më tani nuk ka qenë e mundur të parashikohet, nëse do të zhvillonin ose jo diabet dhe nëse do të ishin në rrezik për komplikacione serioze, të tilla si mosfunksionimi i veshkave, ose nëse do të kishin një formë të padëmshme, me nivele pak më të larta të glukozës në gjak “, shprehet eksperti Hans-Ulrich Häring nga Qendra Gjermane për Kërkimin e Diabetit (DZD).

Grupet 1, 2 dhe 4 përfaqësojnë një rrezik të ulët të diabetit. Në to përfshihen njerëz që nuk janë mbipeshë, ose që janë mbipeshë, por kanë një metabolizëm relativisht të shëndetshëm. Grupimet 3, 5 dhe 6 janë të lidhura me një rrezik në rritje të diabetit dhe sëmundjeve dytësore.

Personat që bëjnë pjesë në grupin 3 prodhojnë shumë pak insulinë në mënyrë natyrale. Grupi 5 përfshin njerëz që kanë më shumë rezistencë ndaj efekteve të insulinës dhe kanë gjithashtu sasi më të lartë të yndyrës në mëlçi.

Ata që janë në grupin 6 kanë nivele më të larta të llojeve të veçanta të yndyrës trupore. Teksa këta individë kanë një rrezik më të ulët të zhvillimit të diabetit krahasuar me grupet 3 dhe 5, ekziston një rrezik më i lartë i vdekshmërisë dhe më shumë mundësi për mosfunksionim të veshkave.

Me numrin gjithnjë e në rritje të personave që preken nga diabeti, që përllogaritet të jetë rreth 700 milionë individë me diabet tip 2 deri në vitin 2045 në të gjithë botën dhe faktin që kjo sëmundje shkakton miliona vdekje në vit, ekspertët thonë se është e rëndësishme të veprojnë sa më shpejt të jetë e mundur./tvklan.al