Në vrasjen e Shkëlzen Kastratit dyshohet se janë të përfshirë katër persona

4 persona janë shpallur në kërkim që dyshohen si të përfshirë në vrasjen e Shkëlzen Kastratit. Ende nuk ka të dhëna për identitetin e autorëve të cilët po ndiqen nga policia.

Mësohet se tre prej tyre kanë qenë në makinën tip “Range Rover”, e cila u gjet e djegur dhe një tjetër që i ka pritur në makinën “Audi” për t’u arratisur së bashku.

Burime të Klan News bëjnë me dije se gjatë ditës ka patur kontrolle në një fshat afër Fushë Krujës në kufi me Tiranën ku mendohet se fshihen atentatorët.

Hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për vrasës me pagesë të cilët kanë vepruar për llogari të fisit me cilin Kastrati kishte hasmëri prej vitesh. Hetimet janë përqendruar te pista e hakmarrjes dhe konfliktet e familjes Kastrati.

Ka dyshime se objektiv i vrasjes nuk ishte Shkëlzen Kastrati, por vëllai i tij Kelment Kastrati. Ky i fundit dyshohet se ka qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale dhe i është bërë edhe njëherë atentat në Janar të vitit 2016 ku mbeti i plagosur.

Ekzekutimi i Shkëlzen Kastratit ndodhi më 1 Shkurt në vendin e quajtur “Ura e Sheqit” në Fier.

Klan News