Disa orë pas atentatit me armë në hyrje të Orikumit mbrëmjen e djeshme, Policia e Vlorës ka mundur të identifikojë autorët e ngjarjes. Ata janë me iniciale G.Ç. 23 vjeç dhe G.B. 33 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim. Policia sqaron se ka pasur një konflikt mes tyre dhe të plagosurit me iniciale D.B. 23 vjeç, të cilin e qëlluan me armë. I riu ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Pas ngjarjes, dy të dyshuarit u larguan me një automjet “Volkswagen”, i cili u gjet i braktisur në vendin e quajtur ”Çipaj” në aksin rrugor Orikum-Llogara.

Gjithashtu, policia ka arrestuar Geraldo Hasanajn 20 vjeç, shoku i të plagosurit. Ai ndodhej në vendngjarje në momentin e atentatit dhe në makinën e tij Ford Fiesta u gjet 514 gr kanabis.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprime të mëtejshme proceduriale.

/tvklan.al