Pamjet e kamerave të sigurisë së disa bizneseve ndihmuan policinë të identifikojë dhe shpallë në kërkim autoret e atentatit të së mërkurës në qendër të Lushnjës ku mbetën të vrarë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha.

Atentatorët sipas policisë janë Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili. Haxhiu rezulton person me të shkuar kriminale pasi është denuar me 35 vite burg per vrasjen e Gerti Salës i njohur si “Iriqi”, në korrik të vitit 2011. Atij i faturohet edhe një tentativë vrasje në 2016-ën, por mbetet ende në arrati. Shenjat e ngjarjes së rëndë janë akoma të dukshme në qendër të qytetit.

Nga dëshmia e një personi që ka qenë në vendngjarje mësohet se njëri prej autorëve qëlloi nga brenda automjetit, ndërsa tjetri doli nga makina duke hapur zjarr me kallshnikov në lokalin ku ndodheshin Zaimi e Hoxha. Hetuesit dyshojnë se me autorët ka qenë edhe një person i tretë. Kjo pasi në makinën autorëve u gjetën tre automatikë “Kallashnikov”.

Për llogari te hetimit është pyetur edhe Xhulio Shkurti. Ai ishte ndarë nga dy viktimat vetëm disa minuta para ngjarjes pasi kishte shkuar tek berberi jo shumë larg vendit të krimit.  Grupi hetimor i ka kanalizuar hetimet në dy pista për atentatin mafioz ku mbetën të vrarë dy të rinjtë, si dhe u plagosën Marius Xhepexhiu e këmbësori Bujar Turku.

Kryesorja është ajo e një hakmarrje te mundshme nga Laert Haxhia, pistë e cila nuk i bind shumë hetuesit. Personat e përfshirë në këtë konflik janë me precedent penal në trafikun e lëndëve narkotike, kryesisht jashtë vendit në Hollandë dhe Itali. Mosmarrëveshtjet që dy grupet kanë patur per kontrollin dhe shitjen e lëndëve narkotike dyshohet se janë importuar në Shqipëri dhe mund të jetë një larje hesapesh mes tyre. Tv Klan

***

Njoftimi i policisë/

Policia identifikon brenda pak orësh autorët e ngjarjes së mbrëmshme në Lushnje dhe i shpalli në kërkim; janë me precedente penalë. 

Lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmë në qytetin e Lushnjes, në vendin e quajtur  “Kryqëzimi i Urës së Përroit“ ku u qëlluan me armë zjarri e për pasojë kanë gjetur vdekjen shtetasit Z.L, 26 vjeç, banues në Lushnje, dhe J.H, 26 vjeç, banues në Lushnje si dhe u plagosën 2 persona të tjerë, grupi i posaçëm hetimor zbardhi autorësinë dhe shpalli në kërkim 2 persona.

Me marrjen e njoftimit nga ana e Komisariatit të Policisë Lushnje u organizua puna dhe u ngritën menjëherë pika kontrolli nëpër kryqëzimet, hyrjet dhe daljet në qytet  me qëllim kapjen e autorëve.

U njoftua Drejtoria Vendore e Policisë Fier, Berat e Durrës me qëllim ngritjen e pikave të kontrollit në akset rrugore.

Grupi hetimor ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku u kryen veprimet e mëposhtme: si kqyrja e vendit të ngjarjes ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale gëzhoja si dhe një pistoletë, e cila dyshohet se i përkiste viktimës, shtetasit Z.L.

Grupi hetimor sekuestroi si prova materiale pamjet filmike në dy biznese në afërsi të vendit të ngjarjes.

Rreth orës 19:15, në parcelat e fshatit Çukas, në krahun e majtë të rrugës nacionale Lushnje-Berat, u gjet i djegur një automjet tip Mercedes-Benz.

Në brendësi të tij u konstatuan dhe u sekuestruan 3 armë zjarri dhe një fishek i paplasur.

Kqyrja e mëtejshme e automjetit për të përcaktuar numrin e shasisë po vijon në Komisariatin e Policisë Lushnje.

Nga analiza e ngjarjes dhe informacioneve qe ka mbledhur grupi hetimor, pjese e të cilit ishin edhe Drejtues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, rezulton se ngjarja e djeshme ka lidhje me ngjarjen e datës 25.09.2016 ndodhur në qytetin e Lushnjes ku është tentuar të vriten me armë zjarri 2 shtetas.

Autorët e dyshuar të asaj ngjarje janë shtetasit L.H dhe O.B të shpallur në kërkim për kryerjen e veprave penale “Vrasje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve”.

Dyshohet se autorët e mundshëm edhe të ngjarjes së djeshme janë shtetasit në kërkim L.H dhe O.B. Po vazhdon puna për ndalimin dhe kapjen e tyre.

Policia e Shtetit duke falënderuar qytetarët për bashkëpunimin i fton ata të telefonojnë në numrin 129 për çdo informacion apo paligjshmëri që konstatojnë.