Autoritetet britanike kanë publikuar emrat dhe fotot e dy qytetarëve rusë, të dyshuar si autorë të sulmit me gaz nervor ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij.

Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov janë akuzuar zyrtarisht si autorët që qëndrojnë pas këtij sulmi të ndodhur më 4 Mars 2018.

Policia angleze tha se dy shtetasit rusë ishin nisur nga Moska dhe mbërritën në Angli në aeroportin e Gatwick në Londër më 2 Mars. Ata qëndruan në një hotel në lindje të Londrës përpara se të udhëtonin drejt Salisbury më 4 Mars, ku ndodhi edhe sulmi me gaz nervor ndaj ish-agjentit rus Skripal dhe vajzës së tij Yulia 33 vjeç.

Akuzat e ngritura ndaj tyre janë vrasje e mbetur në tentativë, përdorim dhe posedim i gazit nervor ‘Novichok’ me aktin e armëve kimike. Sergei Skripal 66 vjeç dhe vajza e tij Yulia Skripal u shtruan në spital pas helmimit me gazin nervor dhe aktualisht ndodhen në gjendje të mirë.

Për këtë ngjarje, Britania e Madhe akuzoi Moskën zyrtare për sulmin e organizuar nga ish-agjentit. Ndërsa disa shtete iu bashkuan nismës për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. /

tvklan.al