Identifikohet 15-vjeçari shqiptar që humbi jetën në aksidentin tragjik ditën e sotme në qytetin Kyparissia në Greqi. Ai është Enriko Buzani, me origjinë nga Lushnja, por jetonte prej vitesh në shtetin grek së bashku me familjen e tij.

15-vjeçari është një nga tre viktimat që humbën jetën tragjikisht në aksidentin e rëndë. Në makinë me të ndodheshin edhe dy shokët e tij, Niko Trialona 15 vjeç me origjinë greke dhe Kristo Mertai me origjinë bullgare. Tre adoleshentët ishin lojtarë të klubit të futbollit ‘Kyparissia’, dhe konsideroheshin talente.

Sipas mediave greke, adoleshenti është djali i madh i familjes Buzani dhe i kishte marrë fshehurazi makinën e babait të tij, së bashku me dy shokët. Tre adoleshentët kishin dalë xhiro me makinë nëpër rrugët e qytetit, kur në rrethana të paqarta automjeti i tyre u përplas me një kamion që drejtohej nga një bullgar, i cili pësoi lëndime të lehta. Dy shokët e shqiptarit humbën jetën menjëherë, ndërsa 15-vjeçari Buzani u dërgua në spital në gjendje kritike ku ndërroi jetë. Për shkak të përplasjes së fortë, u desh ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë nga makina trupat e pajetë të adoleshentëve.

Për ndarjen nga jeta të 15-vjeçarëve, ka reaguar në rrjetet sociale edhe klubi i futbollit “Kyparissia”, duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave.

“Klubi i Futbollit Kyparissia mësoi me hidhërim ndarjen nga jeta të tre futbollistëve të rinj, Kristo Mirtai, Niko Trialona dhe Enriko Buzani që u larguan në mënyrë kaq të papritur dhe të padrejtë. Ne shprehim ngushëllimet më të thella për familjarët e tre engjëjve dhe ndajmë dhimbjen me ta”

, thuhet në komunikatën e klubit të futbollit.

Tre adoleshentët jetojnë prej vitesh në Greqi dhe familjet e tyre gëzojnë respektin e komunitetit ku banojnë. Ndërkohë, policia greke është duke hetuar për të zbardhur tërësisht shkaqet e këtij aksidentit të rëndë.

/tvklan.al