Policia e Shkodrës shpalli në kërkim një 21 vjeçar me inicialet V.K, që dyshohet se është autor i plagosjes me arme të ish-kampionit të boksit, Nelson Hysa 32 vjeç.

Ngjarja ndodhi të shtunën rreth orës 14:30, në Shkodër, kur Hysa po futej në një berberhane.

Atentatori, që gjendej në një motor sëbashku me një bashkëpunëtor në këtë krim, e qëlloi me pistoletë. Të dy mbanin në kokë skafandra.

Në vendin e ngjarjes policia sekuestroi një gëzhojë të kalibrit 7.62 mm e cila i përket një pistolete “TT”.

Policia ende nuk ka një motiv zyrtar lidhur me shkaqet e atentatit.

Burime të grupit të hetimit, thanë për Tv Klan, se po punohet në disa pista. Një ndër to është ajo e ndonjë konflikti banal mes Hysës dhe atentatorëve.

Po ashtu policia po kryen hetime edhe në lidhje me aktivitete të paligjshme ku mund të jenë përfshirë palët.

Boksieri 32-vjeçar Nelson Hysa, mori dy plagë në bark dhe u transportua për në spitalin e Shkodrës. Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve./ TV KLAN

***

Brenda një kohe të shkurtër policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar  të ngjarjes së djeshme, ku rreth orës 14:30 në vendin e quajtur “Ura Dervishbeg”, Shkodër kanë tentuar të vrasin me armë zjarri ish-kampionin e boksit, 33-vjeçarin Nelson Hysa.

Si rezultat i veprimeve të shpejta procedurale të kryera nga Specialistët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në D.V.P. Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë Shkodër, është bërë e mundur  identifikimi  dhe shpallja në kërkim autorit të dyshuar me iniciale V.K , 21 vjeç, banues në Shkodër.

Vijon puna për kapjen e tij.

Në vendin e ngjarjes është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një gëzhojë model 54 e kalibrit 7.62 mm.

Materialet i kaluan  Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale  “Vrasje me paramendim, e mbetur në tentativë,  e kryer në bashkëpunim” dhe  “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Njoftimi i Policisë 06.05.2017

Ish – kampioni i boksit, Nelson Hysa, është plagosur sot me armë zjarri në qytetin e Shkodrës.

Sipas policisë, 32 – vjeçari është qëlluar nga dy persona që udhëtonin me motor, në momentin që do futej për t’u qethur në një berberhane në lagjen “Qemal Stafa”, në vendin i quajtur “Ura Dervishbeg”.

Autorët e kësaj ngjarje, sqaron policia, mbanin në kokë skafandra dhe ishin të veshur me rroba të zeza. Ata mësohet se pasi janë afruar, një prej tyre ka qëlluar me pistoletë në drejtim të ish – boksierit, duke e plagosur në pjesën fundore të barkut.

Hysa u dërgua në spitalin e Shkodrës dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën./tvklan.al