Një pjesëmarrës në një turne videolojërash në Jacksonville, Florida, ka qëlluar për vdekje dy persona para se të vriste veten, sipas BBC. Vrasësi është identifikuar si David Katz, 24 nga Baltimore dhe thuhet se ai përdori një pistoletë të thjeshtë. Nuk ka të tjerë të dyshuar.

19 persona të tjerë u plagosën të dielën në Jacksonville Landing, një kompleks i madh tregtar dhe ambient argëtimi.

Sipas disa njoftimeve të pakonfirmuara, Katz u zemërua pasi humbi në eventin e sportit amerikan eSports. Emrat e viktimave nuk janë bërë ende publik derisa të afërmit e tyre të informohen.

Gjatë viteve të fundit, Florida është goditur nga disa vrasje masive, duke përfshirë lokalin e natës Pulse në Orlando, në vitin 2016, kur vdiqën 49 persona dhe në Shkollën Marjory Stoneman Douglas në Parkland në shkurt të këtij viti, kur 17 persona mbetën të vrarë.

Një shqiptar u ka shpëtuar për mrekulli të shtënave me armë zjarri.

Drini Gjoka, një lojtar 19 vjeçar, ka përshkruar të shtënat në një seri postimesh në Twitter, duke e quajtur atë “dita më e keqe e jetës së tij”.Ai shkroi se një fishek e kishte prekur atë në gishtin e madh të dorës.

“Unë jam me shumë fat. Fisheku më preku në gishtin e madh të dorës”

, shkruan ai në Twitter.

Një tjetër konkurrent tha se një plumb i kishte shkaktuar një plagë të lehtë në kokë.

Njerëzit u larguan të tmerruar kur të shtënat nisën dhe policia iu bëri thirrje të ruanin qetësinë ndërsa zona po kontrollohej për bashkëpunëtorë të mundshëm para se të konfirmohej që autori kishte vepruar i vetëm.

Disa raportime nga mediat lokale thonë se Katz njihej si lojtar, duke përdorur pseudonimin “Bread” (Buka) ose “Sliced Bread” (Bukë me feta) dhe kishte fituar kampionatin në vitin 2017. Ai besohej të kishte qenë duke qëndruar në një hotel aty pranë.

FBI konfirmoi se agjentët e saj kishin kontrolluar shtëpinë e babait të Katz në zonën Inner Harbour të Baltimore mbrëmjen e së dielës./tvklan.al