Policia shoqëron Arlen Hasanajn si autor të dyshuar
Gati 24 orë pas shpërthimit të fortë në derën e jashtme të banesës së Presidentit të FSHF-së Armand Duka, policia ka shoqëruar një person si autor të dyshuar të ngjarjes që tronditi Durrësin. Ai mësohet se është Arlen Hasanaj, një sipërmarrës, banor i lagjes 4 të qytetit bregdetar.
Megjithëse ai është i dyshuari kryesor për vendosjen e lëndës plasëse, ende ndaj tij nuk është ngritur zyrtarisht një akuzë për këtë ngjarje.
Burime nga blutë e Durrësit bën të ditur se për identifikimin e tij grupi hetimor ka ndjekur kamerat e sigurisë në rrugët që Hasanaj zgjodhi për t’u larguar nga vendi I ngjarjes.
Fill pas ngjarjes ai është fiksuar nga kamerat e sigurisë në afërsi të portit nga ku më pas me anë të një automjeti ka shkuar në një pallat, çka ka ndihmuar më pas grupin hetimor të bëjë dhe identifikimin e tij.
Televizioni Klan siguroi pamjet e kamerës së sigurisë në shtëpinë kur ky person që mban një kapuç në kokë, i veshur me të zeza, vendos rreth 200 gramë tritol në portën e banesës së Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në Durrës.
Autori vjen nga krahu tjetër i shtëpisë, duke vëzhguar rrugën. Pasi afrohet kalon në anën e banesës dhe në pak sekonda e vendos poshtë portës.
Ndez fitilin, siç duket në pamje, dhe largohet me vrap. Lënda plasëse shpërthen 1 minutë e 15 sekonda pas vendosjes.
Në momentin e shpërthimit në banesë ishin bashkëshortja dhe djali i kreut të FSHF, ndërsa ky i fundit ndodhej duke parë derbin Dinamo-Tirana në “Air Albania”.
Duke folur ne emisionin Opinion ne Tv Klan, Duka kërkoi zbardhjen e ngjarjes, ndërsa publikoi edhe një mesazh kërcënues me jetë që i kishte mbërritur pak ditë më parë në celular.
Policia po verifikon edhe dërguesin e mesazhit, por nuk ka mundur ende ta zbulojë.
Tv Klan