Pas Britanisë së Madhe, Brazilit dhe Afrikës së Jugut edhe në Itali është shfaqur një variant i rrallë i Covid-19. Sipas asaj që raporton TgCom24 lloji i ri i koronavirusit është shfaqur në komunën Lombarde të Napolit. Për këtë arsye autoritetet e kanë vendosur vendin në zonë të kuqe dhe të gjitha udhëtimet janë ndaluar si dhe dyqanet jo thelbësore do të qëndrojnë të mbyllura si masë emergjente.

Po ashtu edhe komunat Castrezzato në zonën e Brescia-s, Viggiù, në zonën e Varese, Mede, në Pavese dhe Bollate, afër Milanos janë izoluar dhe do të qëndrojnë zonë e kuqe deri në datën 24 Shkurt.

Sipas ekspertëve, varianti i Covid-19 është tepër i rrallë dhe shkencëtarët kanë filluar menjëherë verifikimet për mënyrën e përhapjes. Urdhëresa gjithashtu parashikon që aktivitetet shkollore dhe ato argëtuese të shkollave fillore dhe të mesme në këto komuna do të pezullohen. Ky pezullim vlen edhe për çerdhet dhe kopshtet. Mësimi do të zhvillohet vetëm në mënyrë virtuale.

Varianti në Napoli po shihet me mjaft shqetësim. Instituti Pascale dhe Universiteti Federico II nga të dhënat paraprake kanë zbuluar se fuqia e infeksionit ose karakteristikat e tjera të këtij varianti nuk dihen dhe se deri më tani nuk është parë asnjëherë në Itali.

Deri më tani mostrat e këtij virusi nuk paraqesin asnjë lloj ngjashmërie në lidhje me variantet e tjera të zbuluara apo edhe Covid-19.

Ndërkaq në të gjithë Italinë  numri i të infektuarve është rritur sërish, ku në vetëm 24 orë u regjistruan 10 mijë raste dhe 336 vdekje duke kapur një total prej gati 94.171. Rajonet me numrin më të lartë të infeksioneve janë Lombardia dhe Campania.

Klan News