Shqipëria dhe Kosova janë sot dy shtete të ndryshme, por a ezksitojnë dy identitete të ndryshme? Më 28 Nëntor të vitit 1912 Shqipëria fitoi pavarësinë dhe Kosova mbeti jashtë kufijve zyrtarë të saj. Por ideja e bashkimit kombëtar ka qenë ëndrra e çdo patrioti.

Për një kohë të gjatë, parlamenti shqiptar i viteve ’20 zgjidhte deputetë që përfaqësonin Kosovën. Shtypi shqiptar i asaj kohe i kushtonte shumë vëmendje ngjarjeve atje.

Shqiptarët e Kosovës në vetvete nuk rreshtën së kontestuari regjimin serb apo jugosjllav, deri edhe në kryengritje të njëpasnjëshme.

Instalimi i diktaturës komuniste në Shqipëri e Jugosllavi dhe teoria e internacionalizmit dhe ajo titiste, ajo e bashkimit dhe vëllazërimit, sikur e zbehu disi ndikimin e parë.

Në këtë terren të ri, duke nisur që nga viti 1990, Ibrahim Rugova dhe ndjekësit e tij e transformuan ëndrrën e bashkimit kombëtar në atë të një Kosove të pavarur, për t’i shërbyer kësaj ideje, që ngjante më e prekshme dhe më normale për komunitetin ndërkombëtar dhe nuk hapte serinë e rishikimit të kufijve në Ballkan.

Ata tentuan krijimin e një identiteti kosovar, një identitet që vijon të jetë në qendër të debatit edhe sot, 10 vjet pas largimit të serbëve nga Kosova.  Debati mbi identitetin duket se provokohet sot më shumë në Prishtinë sesa në Tiranë, por nuk duhet harruar se zërat për të janë ende minorë.

Për të diskutuar mbi identetitetin shqiptar apo kosovar, në emisionin “Opinion” ishin të ftuar ish-Ministri i Jashtëm dhe historiani, Paskal Milo, kryetari i Partisë Demokracia e Re, Imer Selmani, studiuesi Arlind Matoshi, komentatori Artur Zheji, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe komentatori Henri Çili./tvklan.al