“Opinion Plus” u fokusua në një problem, i cili prej 63 vjetësh ka ngelur si një nga pengjet më të mëdha të shoqërisë shqiptare. Marshimi masiv i 30,000-40,000 shqiptarëve të Çamërisë, të cilët u shpërngulën me forcë nga trojet e tyre në verën e vitit 1944.

Rrugëtimi një javor i çamëve solli dhe humbjen e rreth 3,000 personave, të cilët vdiqa nga vapa, uria, mungesa e ujit etj. Ky mbetet një nga aktet më tragjike të shtetit të ri shqiptar.

Për të diskutuar mbi këtë çështje, në programin “Opinion Plus” ishte i ftuar deputeti Shpëtim Idrizi. Deputeti ditën e enjte, përmes Parlamentit të Shqipërisë, i drejtoi një letër të hapur peshkopit Janollatus, nëpërmjet të cilës e ftonte për të marrë pjesë në një meshë përkujtimore për viktimat që humbën jetën duke ardhur nga trojet e tyre drejt Shqipërisë.

Idrizi rrëfeu dramën e familjes së tij si çdo familje çame, duke thënë: “Është e ditur botërisht që më 27 Qershor 1944 ka ndodhur një genocid i madh dhe i dhimbshëm karshi kësaj popullsie të pafajshme. Unë jam nga Margëlliçi, një qytet shumë i bukur dhe perlë, siç është e gjithë Çamëria. Familja ime ka qenë pjesë e këtij kalvari të tmerrshëm, këtij udhëtimi biblik dhe ka ardhur në Shqipëri nga dhuna e ushtruar. Gjyshi më ka treguar që ka qenë një situatë shumë tragjike. Kur njerëzit vriteshin, ata në sekondë rrëmbyen fëmijët si të mundeshin dhe ikën me vrap në drejtim të Shqipërisë”.

Deputeti tregoi gjithashtu kërkesat dhe pretendimet e çamëve, si dhe detaje nga marshimi i tyre pak ditë më parë në Qafë Botë./tvklan.al