Nënshkruhet marrëveshja me IFC, anëtare e BB

Lëvrohet kredia korporative prej 40 milionë Euro për grupin Balfin, një nga grupet kryesore të investimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kredia për  grupin Balfin, u  lëvrua nga International Finance Corporation (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, në mënyrë që të rifinancojë zgjerimin e qendrës tregtare Tirana East Gate, rinovimin e saj dhe prodhimin e energjisë së gjelbër nëpërmjet paneleve diellore. Marrëveshja mes IFC dhe grupit Balfin u nënshkrua pranë mjediseve të TEG.

Të pranishëm në këtë event ishin presidenti i Grupit Balfin, Samir Mane, Drejtoresha Ekzekutive e Grupit Balfin, Edlira Muka, aksionerë të tjerë të qendrës tregtare si dhe Drejtoresha Rajonale e IFC-së për Evropën, Rana Karadsheh.

Edlira Muka, Drejtore Ekzekutive e Grupit Balfin: Kjo marrëveshje konfirmon edhe një herë se Grupi Balfin është në rrugën e duhur për t’u bërë një forcë ndryshimi në industritë ku operon. Arritjet tona të deritanishme na bëjnë të sigurt në investimet tona të ardhshme ndërsa mbështetja e IFC-së është një garanci shtesë për suksesin tonë.

Rana Karadsheh, Drejtore Rajonale e IFC-së për Evropën: Ne jemi të lumtur që jemi partnerë me Grupin Balfin dhe mbështesim investimet në infrastrukturën e shitjes me pakicë të vendit, duke krijuar vende pune, shërbime të reja dhe mundësi në të gjithë vendin. Me këtë investim ne po përcjellim gjithashtu besimin tonë në perspektivat afatgjata për zhvillimin social-ekonomik të Shqipërisë.

Miratimi i kredisë pas një procesi vlerësimi të përpiktë të shëndetit financiar të Tirana East Gate dhe kontributit të saj në qëndrueshmërinë mjedisore dhe sociale. Po ashtu Grupi Balfin kaloi një kontroll rigoroz përpara këtij vendimi. Tirana East Gate, qendra tregtare më e madhe në Shqipëri u themelua në vitin 2011 nga Grupi Balfin një ndër grupet lider të investimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Tv Klan