Dhjetëra shtëpi nën ujë në Shijak, probleme në Shkodër

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit paralajmëron reshje intensive të shiut dhe rrezikun për përmbytje nga Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës në veri dhe Vjosa në jug.

Deri tani reshjet e denduara thuajse e kanë dyfishuar sipërfaqen e tokës së përmbytur në Shkodër.

Nën ujë gjenden 1330 hektarë. Problematike situata ka qenë edhe në Shijak, ku lumi Erzen doli nga shtrati në orët e para të mëngjesit duke përmbytur disa shtëpi, me nivelin e ujit që arriti në afro 2 metër.

Edhe dalja e lumit Ishëm nga shtrati shkaktoi përmbytje të qindra hektarëve tokë dhe disa shtëpive në fshatrat e Fushë-Krujës.

Në Elbasan reshjet e shirave kanë sjellë prurje të konsiderueshme të përrenjve dhe depërtimin e ujit në disa banesa.

Disa akse rrugore paten probleme për shkak të rënies së inerteve si pasoje e motit te keq. Energjia elektrike u ndërpre në disa zona.

Rëshkitje ka patur edhe në rrugën Lushnje-Hajdaraj dhe Lushnje-Lekaj, dhe Drejtoria e Emergjencave Civile u bëri thirrje përdoruesve të rrugës që të bëjnë kujdes.

Në Korçë gjatë natës ka pasur reshje shiu dhe bore. Në disa rrugë makinat lëvizin vetëm me zinxhirë.

Tv Klan