Babai

I dëshpëruar dhe me lot në sy, Artur Meta, babai i Igli Metës, të akuzuarit për vrasjen në mënyrë makabre të 17- vjeçarit Ismail Lulli, kërkon publikisht falje për krimin e të birit.

Artur Meta: “Më vjen keq për Ismailin, për familjen e tij. U kërkoj falje të gjitha familjeve të Italisë”.

Në një gjendje të rënduar emocionale, përpara kamerës së kanalit informativ italian TGCOM, ai shprehet se për të është e pabesueshme që Igli të ketë kryer një krim të tillë.

Artur Meta: “Igli nuk mund ta ketë bërë këtë. Ishte djalë i mirë. Nuk di se si mund të ketë ndodhur kjo”.

Ndërsa për nënën e viktimës, Dorina Lullin e cila nuk e pranonte ndjesën e Iglit, por kërkon drejtësi për të birin, ai shprehet:

Artur Meta: “Do të më pëlqente t’i flisja por më vjen turp, nuk gjej kurajë”.

E përditshmja italiane Corriere della Sera zbardhi dëshminë e Igli Metës, përpara prokurorëve të Pezaros. Ai shprehet se 17-vjeçarin, Islamil Lulli e kishte vrarë pas dyshimeve se ai kishte marrëdhënie me të dashurën e tij Ambrën, një 19- vjeçare shqiptare nga Maqedonia.

igli meta

“E çova në kishë dhe e lidha tek kryqi. E bëra vetëm për ta trembur. Doja që të pranonte përpara një dëshmitari që kishte patur marrëdhënie me të dashurën time. Në fillim i bëra presion Ambrës, të dashurës sime, e cila e pranoi që kishte patur marrëdhënie me Ismailin. E binda që ta lidhja deri në grykë, si në një hetuesi të vërtetë. Kur ai vazhdoi ta mohonte e godita me shkelm dhe me grusht. Pastaj më iku truri dhe nxora thikën e i preva fytin”.

Dëshmitar ishte miku i tyre 19 –vjeçar, Mario Mema. Ilgi është përpjekur ta lehtësonte pozicionin e tij, duke thënë se i bëri të gjitha vetë. Por hetuesit dyshojnë se Mario ka qenë karremi dhe e ka ndihmuar Iglin. Ka fshehur edhe krimin. Motra e Marjos, Aurora, e mbron të vëllanë e saj duke thënë se ai nuk ka bërë asgjë, pasi nuk i dinte qëllimet e Iglit. Por ai ka asistuar në gjithçka deri në fund. Pas vrasjes, Igli Meta i ka futur rrobat e tij të përgjakura në një qese të zezë dhe ka shkuar të lahet e të dëfrehet në lumë bashkë me Marion.

Karabinierët arritën ta gjejnë me anë të celularit, të cilin, sic tregon komandanti i karabinierëve të Pezaros, ai e fikte dhe e ndizte vazhdimisht. Ndërsa Ambra është zhdukur. Përpara disa muajsh ajo kishte marrë një mesazh në shqip nga Igli që i thonte se do ta vriste Ismailin. Ajo kishte tentuar më kot ta bindte të dashurin që të hiqte dorë nga hakmarrja ndaj mikut të tij, që ishte fajtor vetëm sepse i kishte kërkuar asaj numrin e celularit.

Tv Klan