Igli Tare është favorit për postin e drejtorit sportiv te Milani. Edhe pse emërimi i drejtuesit të ri është shtyrë më tepër nga sa parashikohej, ish-kapiteni i Kombëtares mbetet profili më i mirë për klubin.
E përditshmja më e madhe sportive, “Gazzetta dello Sport”, shkruante se pas takimit të gjatë të disa ditëve më parë me Giorgio Furlani-n, ndërmjet palëve ka patur kontakte të reja. Administratori i Milanit do të caktojë një takim të dytë me Taren, në ditët në vijim.
Për momentin nuk ka një datë të saktë, por gjasat janë që së afërmi palët të ulen në tryezën e bisedimeve. Koha shtrëngon, sepse sezoni po mbyllet dhe drejtori sportiv duhet të ketë nisur nga puna në mesin e muajit maj, për të bërë gati ekipin e edicionit të ri.
Igli Tare nga ana e tij ka nisur nga puna. Me emërimin e tij, te Milani do të afrohej edhe Jonathan Burkardt. Sulmuesi 24-vjeçar i Mainz ka shënuar 16 gola në këtë sezon, ndërsa ka luajtur edhe me përfaqësuesen gjermane.
Tv Klan