Një 57-vjeçar në Lezhë është vënë në pranga nga policia pasi pretendonte se kishte krijuar një ilaç që shëronte personat e infektuar me Covid-19.

Në pranga ka rënë Frederik Frroku dhe nipi i tij H.Frroku 30 vjeç. Kuruesi i rremë, bënte thirrje në Facebook për prodhim të substancave për kurimin e virusit COVID-19 nga një përzierje e acidit klorhidrik me H2O, duke pretenduar se me këtë përzierje kishte shpikur ilaçin për kurimin e këtij virusi.

Më pas, gjente klientë të cilët i mashtronte duke u shitur ilaçin e pretenduar për 200 mijë Lekë të vjetra. Për këtë pjesë, angazhohej nipi i tij, i cili u arrestua në flagrancë në një lokal teksa po i shiste ilaçin një klienti.

Nga kontrolli në banesën e mjekut të rremë, u gjetën medikamente dhe preparate që shërbenin për të përgatitur ilaçin. Po kështu u sekuestruan edhe pesë pajisje mjekësore pa faturë tatimore, të cilat dyshohet se mund t’i ketë futur kontrabandë dy të arrestuarit.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Mashtrimi”, “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë e ushqimorë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”. /tvklan.al