Solidaritet në “Stop”

Pak kohë më parë, emisioni “Stop” transmetoi rastin e një zonje nga Librazhdi. Hysnije Gjura është diagnostifikuar me Hepatit B, por nuk gjente ilaçin që trajton sëmundjen.

Ajo shprehej se nëse nuk merrte medikamentet sëmundja mund të kishte pasoja tragjike për të.

“Bëra Check Up-in se më duhej për letra për spital dhe më nxorrën me Hepatit B kronik dhe më nisën urgjentisht në Tiranë. Nga të gjitha vizitat që bëra më dha mjekimin për gjashtë muaj. Kam nga Gushti, kam vajtur shumë herë në farmaci të Elbasanit, që të pyes, nuk kemi në gjendje. Nëse nuk marr këtë medikament kaloj në cirrozë dhe për mua është vdekjeprurëse”, u shprehte Hysnija.

Kostoja e këtij ilaçi është 178 mijë lekë dhe zgjat vetëm një muaj. Për Hysnijen është shumë e vështirë që t’i sigurojë pasi nuk ka mundësi ekonomike. Shëndetësia mund të mos mendojë gjithmonë për pacientët, por për Hysnijen kësaj here mendoi një shqiptare që jeton në Gjermani. Pas transmetimit të rastit, një shqiptare i ka sjellë asaj 50 tableta tenofovir, për të përballuar e trajtuar sëmundjen.

“Shumë faleminderit në radhë të parë “Stop-it” dhe në radhë të dytë faleminderit zonjës nga Gjermania që është interesuar për mua dhe shëndetin tim”, shprehet Hysnija.

Një javë më parë u transmetua edhe historia e Lindita Ndojit. Ajo është nënë e 5 fëmijëve. Djalin e madh e ka çuar në Francë për azil, për t’u kuruar, pasi e ka të sëmurë. Tokën dhe shtëpinë ia ka falur dhe ndërtuar kisha. Pas 5 vjetësh vuajtje arritën të futen në shtëpi, por për fat të keq e gëzuan vetëm 8 muaj, pasi para pak javësh gjithçka iu shkrumbua.

Kjo nënë jeton e vetme, pasi është divorcuar. Ajo mezi ia del të rrisë me sakrifica fëmijët e saj dhe sot ka mbetur sërish në mes të katër rrugëve. Por një lokal në kryeqytet iu bashkua nismës për të kontribuar për Linditën. “On top lounge” ka dhuruar 100 euro për nënën e 5 fëmijëve.

“Faleminderit emisioni “Stop” që na prezanton me këto raste. Me kënaqësi i japim familjes së zonjës Lindita një shumë simbolike prej 100 eurosh për të ndihmuar sadopak në rastin e saj”, shprehet menaxheri i lokalit.

Ndërkohë për rastin e saj, ka nisur mbledhja e kontributeve, për t’i rindërtuar shtëpinë. “Stop” dhe “Shqiptarët për shqiptarët” bëjnë thirrje për të gjithë që kanë mundësi, që të kontribuojnë për një shtëpi për Lindita Ndojin./tvklan.al