11 ankesa të tilla si kjo e bërë në emisionin “Stop” 1 vit më parë, për zvarritje të zbardhjes së vendimeve, mospërmbushje të detyrës dhe shkelje të afateve procedurale civile e penale, e nxitën Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë të nisë hetimin disiplinor për gjyqtaren e Shkodrës, Arta Llazari.

Në një njoftim për mediat, ky institucion thotë se gjatë hetimit janë gjetur edhe fakte të tjera se magjistratja duke tejkaluar afatet tej çdo logjike, e në mënyrë të vazhdueshme i ka çuar çështjet thuajse me mungesën e drejtësisë.

Raporti thotë se në çështje të caktuara gjyqtarja nuk kryente asnjë veprim për një periudhë mbi 3 vite. Gjyqtarja Llazari nuk kishte zbardhur 64% të çështjeve civile të themelit të vitit 2021 dhe 90% të çështjeve të viteve 2022-2023 në gjyqe të thjeshta si zgjidhje martese, njohje pronësie, apo pjesëtim pasurie. Vonesa kishte dhe në nxjerrje urdhrash mbrojtjeje, masa sigurie, etj.

 “Veprimet e magjistrates janë kryer të paktën me pakujdesi në formë neglizhencës, e përsëritur dhe e vazhdueshme, e në disa raste kanë shkaktuar dëm në procedurat hetimore”.

Nisur nga këto gjetje, ILD i ka propozuar Këshillit të Lartë Gjyqësor të vendosë “shkarkimin nga detyra” të gjyqtares Arta Llazari.

Tv Klan