Prokuroritë e gjykatat të dorëzojnë dosjet brenda dy javëve

Të gjitha vendimet e lirimit të të burgosurve para kohë gjatë tre viteve të fundit do te kalojnë në sitën e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë.

Kreu i këtij institucioni Artur Metani u ka nisur shkresë gjykatave dhe prokurorive ku kërkon prej tyre, t’i vënë në dispozicion të gjitha dosjet gjyqësore që kanë të bëjnë me lirimet me kusht.

Metani kërkon që këto institucione t’i përgjigjen brenda 2 javësh dhe t’i vënë në dispozicion të gjitha dokumentet nga data 1 Janar 2017 deri në 31 Janar 2020.

Lirimi para kohe i personave të dënuar për vepra të rënda penale vuri në lëvizje edhe Ministrinë e Drejtësisë.

Në mes të muajit Janar, ky dikaster kërkoi shkarkimin dhe ndjekjen penale të gjyqtares Enkeleda Hoxha, që vendosi për lirimin e Endrit Dokles nga burgu.

Ai u dënua nga Krimet e Rënda me burg përjetë, por Gjykata e Lartë e ktheu dosjen në Apel, që e dënoi me 25 vite dhe në fund fitoi lirinë me kusht.

Në Shkurt të vitit të kaluar Gjykata e Korçës ka liruar para kohe, Gert Gjinararin i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen Naim Zyberit. Ai u dënua në Itali, por kur dosja mbërriti në Shqipëri kërkoi gjykim të shkurtuar duke u dënuar me 25 vite burg dhe pas kësaj fiti lirinë me kusht.

Një tjetër i dënuar që ka fituar lirinë është edhe Lulzim Caka. Ky i fundit është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Pëllumb Eminit, si dhe për tentativën për vrasje të punonjësve të policisë në vitin 1997. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, Caka u lirua 4 muaj e 22 ditë para kohe, për shkak të llogaritjeve të gabuara. Pas këtij vendimi ai është shpallur në kërkim.

Tv Klan