Gazetarja sportive Ilda Bejleri ka aksidentuar një 63-vjeçare mbrëmjen e djeshme në Bulevardin “Gjergj Fishta” dhe sipas njoftimit të policisë, është larguar më pas nga vendngjarja.

Ditën e sotme, burime nga policia bëjnë me dije se gazetarja Bejleri është shoqëruar në polici dhe është marrë në pyetje lidhur me aksidentin, ndërsa i është sekuestruar automjeti me qëllim këqyrjen dhe kryerjen e ekspertimeve të nevojshme autoteknike.

“Në vijim të veprimeve hetimore, në orët e mbrëmjes grupi hetimor ka shoqëruar dhe intervistuar në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasen me iniciale I. B., 33 vjeçe. Policia Rrugore e Tiranës, krahas veprimeve të tjera hetimore, me qëllim sqarimin e rrethanave, në funksion të dokumentimit të plotë të aksidentit rrugor, si pasojë e të cilit ka mbetur e dëmtuar këmbësorja E. GJ., ka sekuestruar ne cilësinë e provës materiale automjetin në pronësi të shtetases I. B., me qëllim këqyrjen dhe kryerjen e ekspertimeve të nevojshme autoteknike. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetases I. B, si e dyshuar për veprat penale ‘Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’ dhe ‘Largimi nga vendi i aksidentit’”, njofton policia.

Por pak orë pas aksidentit të djeshëm, Ilda Bejleri ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehej se nuk e kishte përplasur 63-vjeçaren dhe se makina e saj kishte qenë e ndaluar, kur zonja e cila po nxitonte të kalonte rrugën, është penguar dhe është rrëzuar.

Ilda thotë se në pamjet filmike shihet se makina e saj ka qenë e ndaluar dhe se është e pavërtetë që ka aksidentuar këmbësoren.

O mer-diat shqiptare! Për fatin të mirë timin, kamerat janë hapur në polici dhe është vërtetuar që makina ime ka qenë e ndaluar në momentin që zonja është rrëzuar në nxitim e sipër, për të kaluar rrugën, edhe pse semafori jeshil ishte hapur për makinat. Kush ka ndonjë dyshim të shkojë të shohi videon në polici. Unë pyeta për zonjën në momentin e parë, por më pas duke qenë se makina ime në momentin e rrëzimit nuk ishte në ecje e sipër, nuk ndjeva diçka që kisha bërë për t’u ndjerë fajtore. Të gjitha makinat e tjera u larguan, por unë qëndrova pak. Por, nuk ndjeva asnjë detyrim që të qëndroja më shumë se nuk mbaj përgjegjësi për njerëzit që rrëzohen në rrugë. Zonja për fat të mirë është me shëndet të mirë. Flini të qetë o njerëz!”. /tvklan.al