Ish-ministri jep shpjegime për koncensionin e sterilizimit

Për të katërtën herë, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dha shpjegime përballë hetuesve të Prokurorisë së Posaçme për koncensionin e sterilizimit dhe procedurat e ndjekura nga Ministria që drejtonte në vitin 2015.

Pas seancës së marrjes në pyetje, e cila zgjati më pak se 3 herët e tjera, ish-ministri sqaroi për mediat atë për të cilën u pyet nga BKH.

“Sot vazhduam me pyetje për procesin e sterilizimit. Diskutuam edhe për gazin edhe për aneksin 8. Aneksi 8 është pjesë e dokumenteve standarde të tenderave të sterilizimit e listës së investimeve që duhet të bëjnë operatorët që pastaj është bërë pjesë e ofertës edhe më tej e kontratës.”

Beqaj vjen në SPAK me një makinë e cila sipas një tjetër dosje ku po verifikohet roli i tij është në emrin e shtetasit Ermal Kurtulaj, ky i fundit person nën hetim për disa akuza, mes të cilave edhe korrupsion.

I pyetur nga mediat rreth këtij fakti, Beqaj dhe këtë përgjigje: “Ka një arsye shumë të thjeshtë përse unë vij me automjetin e të tjerëve, jo me timin. Unë nuk di t’i jap makinës, nuk kam patur kurrë dëshmi drejtimi.”

Teksa ndodhet nën hetim me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në koncensionin e sterilizimit, SPAK po verifikon lidhjet e Beqajt me Kurtulajn, që deri më tani e konsideron si njeriun që menaxhon në hije një biznes në Tiranë për llogari të ish-ministrit.

SPAK gjithashtu thotë se indicie të këtij bashkëpunimi shikon edhe në përdorimin e kësaj makine me të cilën ai lëviz.

Tv Klan