Për të tretën herë jep shpjegime për “sterilizimin”

Për më shumë se 8 orë, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, u pyet sërish nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, për koncesionin e sterilizimit.

I shoqëruar nga avokati i tij, ish-ministri u fut në orën 09:00 të kësaj të marte në SPAK dhe doli prej andej në orën 17:30.

Për mediat tha se hetimi është kompleks dhe kërkoi shtrirje të tij më herët se dhënia e koncesionit, edhe pse objekt hetimi është ky i fundit.

Janë disa seanca të gjata pyetjesh që do të thotë që çështja është komplekse, është e gjerë. Edhe sot nuk përfunduam seancat e pyetjeve, do të vazhdojmë edhe në ditët e tjera sidomos kur të kemi të plota edhe materialet e KLSH sepse pikënisja e atyre çfarë pretendohet në masën e sigurisë ndaj meje janë raportet e KLSH. Gjithashtu besoj se hetimet me sa kemi parë deri tani janë ende shumë të ngushta, është e domosdoshme që të shtrihen në 2 pjesë. Së pari, nga Marsi 2011 deri në Shtator 2013 për të hetuar tashmë pse 2 vjet e gjysmë u mbajt në qese ai central dhe nuk u vu asnjëherë në punë. Por edhe tashmë janë bërë 8 vjet nga zbatimi i kontratës për të hetuar kush janë përfitimet e drejtpërdrejta të qytetarëve dhe buxhetit të shtetit nga zbatimi i kësaj kontrate”.

Beqaj pretendoi se kishte marrë siguri nga prokurorët që do t’i kthehen sendet e sekuestruara pas akt-ekspertimeve.

Ish-ministri është person nën hetim për dosjen e sterilizimit, ku bashkë me të hetohet edhe ish-zëvendësi i tij, Klodian Rjepaj, dhe biznesmeni që fitoi koncesionin Ilir Rrapaj, të dy në arrest në burg.

Në masa më të buta, nën hetim janë marrë edhe 6 persona të tjerë.

Kjo është hera e tretë që Beqaj pyetet për koncesionin e sterilizimit, për të cilën ndodhet në masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” dhe ndalim dalje jashtë shtetit.

Ndërkohë, Beqaj është në verifikim nga SPAK në një tjetër dosje që po hetohet me akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

Tv Klan