Që prej orës 9 të mëngjesit, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja po pyetet nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit për herë të parë si “person nën hetim” dhe i dyshuar se ka shpërdoruar detyrën në koncensionin e sterilizimit të mjeteve spitalore, një shërbim që u dha me koncension në vitin 2015.

Hetuesit e BKH-së janë duke e pyetur ish-ministrin Beqaj për kontaktet që ka pasur me biznesmenin që fitoi koncensionin dhe për të gjitha procedurat që u ndoqën në vitin 2015 deri në përcaktimin e fituesit, i cili ishte shtetasi Ilir Rrapaj, biznesmeni që ndodhet në “arrest në burg” për të njëjtin koncension.

Gazetarja e Tv Klan, Bleona Metushi ka mësuar se hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit janë duke e pyetur ish-ministrin dhe për disa rrethana që janë ngritur nga ana e gjyqtarit të hetimit paraprak, Erion Bani, i cili ka pretenduar se në fakt ka vend edhe për akuza të tjera në lidhje me dosjen e sterilizimit në ngarkim të ish-ministrit të Shëndetësisë që lidhen me udhëtimet që ky i fundit ka kryer me biznesmenin që ka fituar koncensionin dhe për të shkuar më tej, sipas gjyqtarit të hetimit paraprak edhe drejt akuzës së “korrupsionit”.

Dosja e sterilizimit ende vijon të jetë e hapur për SPAK. Deri tani janë 9 persona që janë marrë nën hetim nga ana e Strukturës së Posaçme, mes të cilëve biznesmeni Ilir Rrapaj dhe ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj që akuzohet për shpërdorim detyre.

Tv Klan