Partizani-Kukësi është supersfida e kësaj të diele, e vlefshme për javën e pestë të Superligës shqiptare. Verilindorët janë kryesuesit aktual të tabelës së klasifikimit dhe ndaj të kuqve kërkojnë që të marrin maksimumin. Kukësi ka marrë vlerësimet dhe nga trajneri i Partizanit, Ilir Daja.

“Është një skuadër që me lojë ka justifikuar pikët, pasi ka instaluar një manovër që përfshihen gjithë lojtarët dhe meritë ka stafi i tyre. Kanë lojë të mirë në tranzicione, por si çdo ekip, edhe Kukësi ka pikat jo të forta”, është shprehur Ilir Daja.

Partizani nuk e ka shijuar ende fitoren këtë sezon, ku kanë koleksionuar 1 humbje dhe tre barazime. Daja shpreson që të gjejë trepikëshin e para pikërisht në këtë ndeshje edhe pse pranon se skuadra e tij ka presion.

“Kemi kontigjentin për rikuperim të pikëve, sepse kemi dominuar, por na kanë kushtuar gabimet individuale dhe duhet të jemi më të qetë para portës. Në raport me skuadrat e tjera kemi pasur më shumë raste para porte”, është shprehur trajneri i Partizanit. Një tjetër përballje interesante e kësaj fundjave është edhe ajo mes Teutës e Tiranës.

Klan News