Për Ilir Kullën, ajo që po ndodh me Maqedoninë e Veriut është një tallje. I ftuar në Zonë e Lirë, duke folur për veton bullgare që kushtëzoi hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut e rrjedhimisht edhe me Shqipërinë, analisti Kulla tha se të gjithë venë kushte për Maqedoninë e Veriut, pa marrë parasysh të drejtat e qytetarëve që jetojnë atje.

“Problemi është çfarë bëhet me Maqedoninë. A do pranojë qeveria e Maqedonisë të bjerë? Ne morëm vesh që Bullgaria ka miratuar planin francez. Tani do vijmë tek pjesa tjetër, sepse ka një debat politik në Shkup sot. Dhe debati politik në Shkup nga kryeministri është që ne nuk e pranojmë planin francez. Ne jemi marrë peng, për një çështje politike që nuk ka të bëjë me Shqipërinë. Kjo i ka themelet tek një e vërtetë. E vërteta është që me Maqedoninë, më fal për shprehjen, po tallin trapin të gjithë. Kur ishte historia, Greqia i kushtëzonte emrin, këta tjerët i kushtëzojnë gjuhën, Edi Rama thotë është Bullgaria perëndimore, Serbia i kushtëzon kishën. Po këta qytetarët atje që do bëhen pjesë e BE, këta kanë ndonjë të drejtë? Problemi është se ne e kemi vënë të gjithë Maqedoninë në mes dhe e kemi bërë tamam si sallatë… Shqipëria është viktimë e kësaj gjëje nuk duhet të kushtëzohet”. /tvklan.al