“Paratë dhe pronat e shqiptarëve, në duart e një grushti njerëzish”

Presidenti Ilir Meta ka sulmuar ashpër paketën “Anti-KÇK” të miratuar nga qeveria pak ditë më parë së bashku me ligjin special për masat pasurore ndaj krimit të organizuar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i shtetit thotë se kjo nismë e mazhorancës është anti-kushtetuese dhe pjesë e një grushti shteti që do të finalizohet me marrjen nën kontroll të Gjykatës Kushtetuese.

Qëllimi i kësaj nisme, sipas tij, është marrja e parave dhe pronave shqiptareve dhe dhënia e tyre një grushti njerëzish.

“Në shtetin e PPP (Polici Parti Propagandë) nuk ekzistojnë as direktivat e BE, as Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, as Konventat Ndërkombëtare, se kriteret e Kopenhagenit nuk i kujton më njeri që kur u mbyll Ambasada daneze këtu.

Në shtetin e PPP (Polici Parti e Propagandë) ekziston vetëm grushti i shtetit dhe shpopullimi i vendit.

Me miratimin në pabesi të plotë të ligjit anti-kushtetues të KRYEKÇK-së një ditë para mbërritjes në Tiranë të Komisionit të Venecias, të thirrur nga vetë Kuvendi një-partiak, nuk kanë më vlerë as thirrjet “Ndiq paratë” se tashmë paratë, pronat, çdo pasuri dhe të drejtat e shqiptarëve do përqëndrohen në një grusht të vetëm, falë grushtit të shtetit që finalizohet me shndërrimin e Gjykatës Kushtetuese në Polici kushtetuese të shtetit të PPP”.

Nisma e qeverise është përshëndetur nga ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian në Tiranë, të cilat kanë vlerësuar ndjekjen e parave të krimit të organizuar, por duke nënvizuar se po e monitorojnë ngushtësisht zbatimin e saj. Subjekti “Anti –KÇK” do të jenë të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit për krim të organizuar, pjesëmarrje në organizata kriminale, apo grupe të tjetra kriminale dhe terroriste, si dhe për trafiqe e krime të tjera të rënda.

Pasuritë e sekuestruara, do të kalojnë në administrim të shtetit. Deri tani, “Operacioni Forca e Ligjit” ka dorëzuar në SPAK 23 dosje.

Tv Klan