Gënjeu në raportin për ligjin për Gjykatën Kushtetuese

Një dosje që tha se ishte e mbushur plot me gënjeshtra të Komisionit të Ligjeve ishte ajo që presidenti Ilir Meta tundi si provë që ky Komision ka manipuluar në shërbim të grushtit të shtetit.

E shfaqi atë edhe si thirrje ndaj qytetareve për t’iu bashkuar më 2 Mars në aleance kundër Edi Ramës, duke evokuar si për ironi të fatit një tjetër datë, ku 7 vjet më parë lidhte aleancën me vetë Ramën.

Asgjë nuk mbaron më 2 Mars, ka edhe 3 Mars, ka edhe 1 Prill, dhe e shikoni sa 1 Prilla kemi këtu”.

Renditi përgjigjet e disa institucioneve e shoqatave të ndryshme, si përgënjeshtrime të Komisionit të Ligjeve, i cili në raportin zyrtar për ndryshimet në ligjin për betimin e anëtarëve të Gjykatës e Kushtetuese ishte shprehur se ishte marrë edhe mendimi i tyre.

I vetmi që e ka lënë pa përgjigje është misioni europian qe asiston drejtësinë në Shqipëri, për çka nuk i fshehu rezervat.

Euralius 5 nuk ka dhënë përgjigje edhe pse e ka marrë më 20 Shkurt, edhe pse i është kujtuar në rrugë telefonike, por nuk ka pasur mundësi t’i kthejë përgjigje shkresës zyrtare të Presidentit”.

Presidenti thotë se kjo është një manovër e qëllimshme e Komisionit të Ligjeve, të cilin e etiketoi si pjesë të një sekti kriminal qe ka uzurpuar institucionet.

Për të gjitha këto, Presidenti ftoi qytetarët t’i bashkohen në manifestimin e të Hënës. Në përgjigje të njoftimit të ambasadës amerikane për shtetasit amerikanë që të evitojnë zonën e manifestimit, garantoi se gjithçka do të jetë paqësore dhe tha se të vetmit që duhet të shqetësohen janë ata që po tentojnë grushtin e shtetit.

“Do jemi vetëm kuqezi më 2 Mars, do të jetë manifestim paqësor. Do të jetë sa më i mrekullueshëm, me sa më pak policë që angazhohen në mbrojtje të institucioneve, pasi ekipi ynë po bashkëpunon shkëlqyeshëm me qindra e me mijëra vullnetarë që duan të shërbejnë për të dhënë kontribut të çmuar për të sjellë në Shqipëri një tradite të re, atë të festës së demokracisë, të triumfit të demokracisë mbi tiraninë dhe frikën që ajo kërkon të instalojë në Shqipëri. Alert ka vetëm për grupin puçist.”

Si pjesë të shqetësimit së këtij grupi, kreu i shtetit përfshiu edhe arrestimin e botuesit Henri Çili.

“Cilido që ka probleme me ligjin duhet të përballet përpara organeve të drejtësisë, pavarësisht për situatën në të cilën jemi se kjo situatë detyron presidentin ti drejtohet popullit. Nuk do habitesha për shkak të alertit të grupit puçist sikur nesër të dëgjonit se më falni se po përmend emrat, që Fatos Lubonja, apo Artur Zheji u arrestuan se dyshohen se drejtojnë organizatat e Kamorras dhe Ndragetas, apo se të hënën  në mëngjes do dilte lajm se te pallati pranë presidentit do ishin dy persona me koronavirus. Alerti është në vend tjetër për të krijuar ngjarje dhe fokuse që duan të shmangin një çështje shumë më të madhe me të cilën është bashkuar tashmë cdo qytetar i ndershëm dhe me dinjitet në këtë vend, zërin e të cilëve do ta dëgjojë jo vetëm bota shqiptare, por tërë bota demokratike”.

Kreu i shtetit është i bindur se 2 Marsi do të hyjë në histori.

“2 Marsi, dita për shenjtërimin e kushtetutës”.

Tv Klan