Presidenca: Si u përdor Ardian Dvorani për kapjen e Gjykatës Kushtetuese

Presidenti i vendit Ilir Meta ka publikuar një video-spot, ku ka renditur shkeljet e bëra nga Ardian Dvorani, kreu i KED.

Në një postim në Facebook, Meta u ka bërë thirrje qytetarëve për të ndjekur këtë spot të përgatitutr nga Presidenca, “në mbrojtje të Kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese”.  

Si u përdor Adrian Dvorani për Kapjen e Gjykatës Kushtetuese?

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, 3 prej tyre zgjidhen nga Presidenti, 3 nga Kuvendi, 3 nga Gjykata e Lartë.

Kushtetuta përcakton, Presidenti, Kuvendi, Gjykata e Lartë, i zgjedhin anëtarët me radhë, njëri pas tjetrit. Vakancën e parë e plotëson Presidenti, të dytën Kuvendi, të tretën Gjykata e Lartë.

Gjykata Kushtetuese u zbraz sepse një pjesë e anëtarëve përfunduan mandatin dhe pjesa tjetër nuk kaluan Vetingun.

Por arsyeja kryesore e mosngritjes, është bllokimi i funksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për dy vite, me qëllim që në krye të tij të vinte Ardian Dvorani.

KED është një organ kolegjial që ka për detyrë nga ana administrative të ndihmojë Presidentin, Kuvendin dhe Gjykatën e Lartë të zgjedhin anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, për plotësimin e vakancave të tyre sipas radhës Kushtetuese dhe kritereve që dikton qartë Kushtetuta dhe ligji për Gjykatën Kushtetuese.

Justifikimi i maxhorancës për bllokimin e KED për vitin 2017 dhe 2018 ishte se anëtarët e KED nuk kishin kaluar Vetingun, por me zgjedhjen e Dvoranit, Vetingu nuk ishte më kusht.

Nga 15 janari, 2019 e deri tani, Dvorani nuk ka publikuar, në kundërshtim me ligjin, 32 mbledhje të KED.

Avokatit të Popullit, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin i është mohuar e drejta të marrë pjesë në momentin më kyç të vendimmarrjes së KED.

Vetëm në mungesë të transparencës së plotë, Dvorani mund të manipulonte procesin e skualifikimit të padrejtë të disa prej kandidatëve.

Nga 37 kandidatë, Dvorani ia doli në kundërshtim me ligjin, të lërë në garë vetëm 6 kandidatë për 4 vakanca duke e kthyer procesin kushtetues dhe ligjor të zgjedhjes, në një proces emërimi të detyruar.

Kushtetuta dhe ligji kërkojnë që për çdo vakancë të ketë 3 emra të ndryshëm. KED në 21 shtator 2019 miratoi renditjen për 6 kandidaturat për të 4 vakancat në Gjykatën Kushtetuese sipas radhës së më poshtme.

Presidenti: Arta Vorpsi, Elsa Toska, Besnik Muçi, Regleta Panajoti.

Kuvendi: Arta Vorpsi, Elsa Toska, Besnik Muçi.

Presidenti: Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari.

Kuvendi: Arta Vorpsi, Fiona Papjorgji, Elsa Toska.

Siç shihet qartë ky është konkurrim fiktiv për të imponuar emërimin e kandidatëve të paracaktuar.

Por shkelja më flagrante e Kushtetutës dhe ligjit nga Dvorani është loja personale e tij me shkeljen e afateve dhe me mosrespektim min e radhës kushtetuese.

21 shtator, miratohet nga KED renditja e kandidatëve për secilën vakancë sipas kësaj radhe: President; Kuvend; President; Kuvend.

22 shtator publikohen në faqen e Gjykatës së Lartë vendimet e KED për renditjen e kandidatëve sipas të njëjtës radhë: President; Kuvend; President; Kuvend.

Më 8 tetor, 2019, Dvorani vetëm me iniciativën e tij, i dërgoi Presidentit listat e kandidatëve të dy vakancave të tij njëherazi, President, President.

Vetëm 6 ditë më vonë, pas shkresës zyrtare të presidentit drejtuar Dvoranit, ai ia nisi njëherazi edhe Kuvendit të dy vakancat, Kuvend, Kuvend.

Çfarë synoi me dashje Dvorani me këtë vonese 6 ditore të dërgimit të listave midis Presidentit dhe Kuvendit?

Kushtetuta e ndalon Presidentin të bëjë 2 emërime njëherazi.

Kushtetuta për Kuvendin dhe ligjin për Presidentin e bëjnë të qartë se, për çdo vakancë afati i emërimit për çdo përzgjedhje është 30 ditë.

Përse Dvoranit nuk i përcolli në një ditë listat e kandidatëve për të katër vakancat? (2 të Presidentit dhe 2 të Kuvendit)

Sepse Presidenti, ashtu siç ndodhi, do e emëronte menjëherë gjyqtarin e parë të Kushtetues. 

Kjo do të evidentonte qartë mungesën e vullnetit politik të Kuvendit për të respektuat radhën dhe afatin e tij kushtetues, siç ndodhi.

Nënvizojmë se: për Kuvendin afati 30-ditor urdhërohet direkt nga Kushtetuta. Ndërsa për Presidentin afati evidentohet vetëm në ligj.

Afati ligjor për Presidentin, jo vetëm që s’mund të përmbysë detyrimin e qartë kushtetues të radhës së emërimit, por afati fillon vetëm kur nuk ekzistojnë më pengesa kushtetuese dhe ligjore.

Presidenti në shkresat e tij zyrtare të datës 30 gusht 2019, 10 tetor 2019 dhe 5 nëntor 2019, i ka kërkuar Dvoranit të respektojë radhën që përcakton Kushtetuta dhe ligi për të evituar përplasjen e institucioneve, kur për më shumë, bëhej fjalë për pothuajse të njëjtat emra që konkurronin për të njëjtat vakanca.

Qëllimi i pastër i kësaj skeme të Dvoranit ishte t’i jepte maxhorancës në mënyrë të paligjshme një anëtarë më shumë për të prishur balancat në Gjykatën Kushtetues, duke vetëshpallur në kundërshtim me Kushtetutën, kandidaturën e paracaktuar të Arta Vorpsit.

Në funksion të këtij qëllimi, Dvorani botoi me iniciativën e tij personale dhe antiligjore, emrin e saj në fletoren zyrtare më 9 nëntor 2019.

Kjo kandidate shokoi mbarë opinion  publik duke kërkuar të “legalizojë” betimin e saj fiktiv tek noterja, ndërkohë që Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton qartë që betimi i çdo gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese bëhet vetëm përpara Presidentit të Republikës.

Vetëm Dvorani mund të degradonte integritetin e këtij procesi jetik për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ndaj ai është kallëzuar në Prokurori nga Presidenti i Republikës për dy vepra penale, për “përvetësim të titullit apo të detyrës shtetërore”, dhe “shpërdorim i detyrës”.

Në mënyrë të paligjshme dhe antikushtetuese Kuvendi njëpartiak kërkoi krijimin e një Gjykate Kushtetuese politike nën kontrollin e tij”.

Ky reagim vjen pak orë pas marrjes në pyetje nga Prokuroria e Tiranës të Presidentit Meta, i cili është pyetur për rreth 60 minuta lidhur me kallëzimin që ka bërë ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. /tvklan.al