Gjatë emisionit “Opinion” Presidenti Ilir Meta është pyetur rreth marrëdhënieve me Lulzim Bashën. Çfarë ka ndodhur mes jush dhe zotit Basha, ishte pyetja e Fevziut, që Meta iu përgjigj në këtë mënyrë: Ma sill Zotin Basha këtu, ma sill këtu. Ma sill zotin Rama këtu. Ma sill doktorin e madh këtu. Flet për amerikanë. M’i sill në studio mua. Unë nuk kam ndonjë shqetësim. Unë për një çështje X kam një qëndrim, një qëndrim me amerikanin, një qëndrim me Bashën, një qëndrim me Ramën, një qëndrim me Bashën, një qëndrim me doktorin.

Më tej, Meta tha se Basha është i “paparë për të shpikur alibi” kur u pyet për pretendimet e PD-së, se Meta sabotoi zgjedhjet e 25 Prillit.

“Ai është i paparë për të shpikur alibi. Para se të mendojë për fitoren ka gjetur tekstin e justifikimit të humbjes”, tha Meta.

Meta tregoi se me Bashën është takuar në Presidencë dhe në shtëpinë e kreut të shtetit. Presidenti zbuloi se kreut të PD-së i ka dërguar një mesazh para se të prishej teatri, por Basha “ishte në Lushnje, po merrej me kastraveca atje”.

Ilir Meta: Ka ardhur këtu, ka ardhur në shtëpi sidomos sa herë ka pasur ndonjë shqetësim ai vjen. Kur unë kam pasur ndonjë shqetësim ai si i shikonte ato mesazhet e mia, siç ka qenë rasti. Për teatrin që i kam thënë 2 ditë para që do të prishin teatrin dhe mos i lëmë vetëm ata të Aleancës për Teatrin, por ai nuk i ka parë atë ditë se ishte në Lushnje, po merrej me kastraveca atje. Ishte i shqetësuar në atë situatë dhe shumë mirë.

Blendi Fevziu: Nga vizita në shtëpi, deri tek trekëndëshi i Bermudës, çfarë ka ndodhur me Bashën? Vetëm në Shqipëri ndodh që dy njerëz shahen pa thënë asgjë me njëri-tjetrin?

Ilir Meta: Nuk kam sharë njeri.

Blendi Fevziu: Ju ka kritikuar ju!

Ilir Meta: Po unë si president normal nuk mund të bëj pyetje? Kam këtë pyetje. Kur  presidenti të thotë, ti je kryetar i opozitës, që para një viti se të lësh mandatet që hiqni dorë nga kjo idiotësi, ju keni të bëni me një të marrë që mezi pret që të lini mandatet. E dyta kjo nuk funksion se asnjë nuk e kupton jashtë se brenda edhe është normale. E treta do t’ju hyjnë të tjerët dhe është normale unë e di vetë se kam qenë vetë që kam bërë lista dhe janë ata të fundit. Këto ia kam thënë edhe Berishës. Për LSI-në s’më ka shkuar në mendje që të bënin një vetëvrasje të tillë. Kur të thotë Presidenti, mirë këtë budallik e bëre se gjoja të kanë thënë gjermanët që nuk i kanë thënë asgjë.

Blendi Fevziu: E vërtetë që  ju ka thënë që më kanë thënë gjermanë?

Ilir Meta: Ti pyet zotin Spah,o pyet zotin Këlliçi, pyet shoqen time Monikën.

Blendi Fevziu: Personalisht ju ka thënë Lulzim Basha që më kanë kërkuar gjermanët të lë mandatin e deputetëve? Se kjo është shumë e rëndë.

Ilir Meta: Ore zotëri isha në Gjermani kur ata lanë mandatet. Bënë protestën dhe thanë, na tha populli.

Blendi Fevziu: Populli dhe gjermanët janë dy gjëra të ndryshme.

Ilir Meta: Ata thonin na tha popullit për publikun se nuk thonin dot gjermanët se kërciste druri nga Gjermania për 8 Qershorin që i thanë edhe një shashkë po ndodhi në 8 Qershor do përjashtoheni nga PPE dhe mos flisni më në emër të gjermanëve. Këto nuk janë probleme që ia krijova unë. Si do fitonte një opozitë që e la fushën e vet të parlamentit mazhorancës. Si do fitonte një opozitë që i kaloj të gjitha koncesionet e mazhorancës! Si do fitonte një opozitë që e la gjithë pushtetin lokal mazhorancës dhe që nuk kishte një komunikim me kandidatët e saj!

Kur Fevziu, i citoi deklaratat e Bashës se Meta është e shkuara, Meta qeshi./tvklan.al