Presidenti Ilir Meta ka treguar sot të gjithë raportin e tij me ish-Kryeministrin Sali Berisha. Në një rrëfim ndryshe në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Meta ka treguar njohjen me Berishën, bashkëpunimin me të në vitin 2009-2013, ndarjen dhe konsideratën që ka tani për të.

Blendi Fevziu: Në këtë kohë a ka pasur një marrëdhënie midis Jush dhe Presidentit Berisha në vitet 1995, 1996 po themi?

Presidenti Ilir Meta: Nuk kemi pasur asnjë lloje marrëdhënie, veçanërisht në këtë periudhë që po flasim, për vitet 1992 deri në vitin 1994 apo në 1995.

Por, Berisha gjithmonë përpiqej të bënte një diversion midis të rinjve dhe midis të vjetërve, midis marksistëve dhe anti-marksistëve.

Blendi Fevziu: Kur e keni takuar Berishën për herë të parë?

Presidenti Ilir Meta: Berishën për herë të parë, mbaj mend e kam takuar këtu. Kur ka qenë President.

Kemi qenë me Majkon, a nuk e di me kë kemi qenë tjetër, se vinte një delegacion nga Danimarka, nga Social-Demokratët Danez, me idenë që ai,  t’i takonte.

Ata donin  të takoheshin edhe me të, ky besojë që është takimi i veçantë.

Blendi Fevziu: Po takimi  më i gjatë dhe diskutimi më i plotë që keni bërë me Berishën,  e kujtoni kur ka qenë?

Presidenti Ilir Meta: Tani, mbas kësaj ka plotë bisedime. Po në atë periudhë kam pasur shumë pak kontakte.

Blendi Fevziu: Çfarë raportesh keni pasur me të? Edhe me të keni pasur raporte kontradiktore, keni qenë kundërshtar të fortë, keni qenë në bashkëqeverisje. Çfarë raporti keni pasur me Berishën gjatë këtyre 25 viteve?

Presidenti Ilir Meta: Ajo që mund t’iu them për zotin Berisha, është që me Berishën, ke kënaqësi të bashkëpunosh, ke dhe kënaqësi të luftosh.

Blendi Fevziu: Çfarë do të thotë ke kënaqësi të luftosh?

Presidenti Ilir Meta: Sepse ka kënaqësi njeriu, e bën diçka me kënaqësi.

Blendi Fevziu: Dhe, tashmë që edhe Berisha është aktiv, po nuk është më po themi protagonist kryesor në politik,  si do ta përkufizonit Ju,  karrierën dhe rolin e tij në këto 30 vite?

Presidenti Ilir Meta: Roli i tij sigurisht që është një rol historik, me merita historike.

Natyrisht, që ka edhe përgjegjësi historike për sa i takon viteve 1996 dhe 1997. Mund ta kishte menaxhuar më mirë.

Blendi Fevziu: Berisha President dhe Berisha kryeministër?

Presidenti Ilir Meta: Është shumë më reflektues, shumë më i hapur dhe bashkëpunues.

Blendi Fevziu: Cila është karakteristikamë e mirë në bashkëpunim me Berishën? Duke qenë se Ju, keni bashkëqeverisur me të..

Presidenti Ilir Meta: Me Berishën nëse sqaron diçka, nuk ka nevojë për të firmosur sepse i qëndron fjalës.

Blendi Fevziu: I qëndron marrëveshjes?

Presidenti Ilir Meta: Po.

Blendi Fevziu: Në vitin 2009, kur Ju, hytë në qeveri më të, e patët të vështirë të merrnit këtë vendim?

Presidenti Ilir Meta: Jo,  sepse nuk kishim rrugë tjetër, kishim bërë çdo përpjekje për një koalicion më Partinë Socialiste. Partia Socialiste, kishte bërë çdo përpjekje për të zhdukur një forcë politike si LSI-ja. Mos të harrojmë se, në vitin 2007, LSI, ishte forcë përcaktues që Rama, të zgjidhej kryetar Bashkie.

Blendi Fevziu: Po gjatë katër viteve të qeverisjes me të, keni pasur probleme të mëdha?

Presidenti Ilir Meta: Nuk është se nuk kemi pasur dallime të ndryshme. Por, besoj se gjithmonë ka pasur mirëkuptim për pozicionin apo bindjen e gjithsecilit.

Blendi Fevziu: Ndërkohë, përse u larguat nga Berisha, në prilli të vitit 2013?

Presidenti Ilir Meta: Kishim një marrëveshje, të cilën  ne, e kishim respektuar. U vlerësua që të bënim një marrëveshje tjetër. Mos të harrojmë, se sjellja ka qenë shumë luajale, në kuptimin që kjo marrëdhënie përfundon. Falenderim për bashkëpunimin, do të bëhet një zgjedhje tjetër. Por, votat tona nuk do të përdoren  kundër kësaj qeverie, kjo qeveri ka të drejtën e vet deri në zgjedhje. Së dyti, marrëveshja me Ramën dhe me Partinë Socialiste, në radhë të parë synonte zhbllokimin e procesit të integrimit evropian. Kushti i parë, ishte të zhbllokoheshin tre ligjet që Rama, i kishte bllokuar prej 1 vit e gjysmë, para se të zhvilloheshin zgjedhjet. Pra, me parlamentin e asaj periudhe. Sepse shqetësimi ishte nëse një mazhorancë nuk do të merrte 84 vota, të njëjtin bllokim mund ta bënte Partia Demokratike në opozitë.

Blendi Fevziu: Pra, Ju thoni që sërish, keni bërë marrëveshje për integrimin evropian?

Presidenti Ilir Meta: Po, është e shkruar, marrëveshja e Shkodrës, merreni dhe lexojeni dhe 3 ligjet Partia Socialiste  i ka votuar në maj.

Blendi Fevziu: Sot, çfarë raporti keni me zotin Berisha?

Presidenti Ilir Meta: Shumë korrekt, shumë të respektueshëm.

Blendi Fevziu: A ka një marrëveshje ose një konspiracion mes jush?

Presidenti Ilir Meta: Jo, absolutisht./tvklan.al