Vitet e fundit muzika Pop ka njohur mjaft yje shqiptare, që po korrin sukses në arenën ndërkombëtare. I tillë është rasti edhe i Ilira Gashit, e njohur me emrin e artit ILIRA. Me 2.3 milionë dëgjues të përmuajshën në Spotify, e bën ILIRA-n yllin e radhës që pritet të pushtojë botën me hitet e saj.

Bashkëpunimi me DJ gjerman Alle Farben, “Fading”, mbetet një prej këngëve më të dëgjuara të momentit, me 42.1 milionë klikime. Kënga po korr mjaft sukses në Europë, duke u renditur në vendin e 16 në Gjermani e Austri dhe në vendin e 17 të klasifikimeve në Zvicër. Edhe hitet e saj “Whisper My Name”, “Get off My D*ck” dhe “Do It Yourself”, nuk ngelen pas.

Kënga e saj më e fundit, e titulluar “Diablo” është një bashkëpunim me këngëtarin dhe producentin spanjoll Juan Magan. Me ritme disi më latine krahasuar me këngët e mëparshme, kënga është himn për viktimat e lidhjeve abuzive.

Kënga u prodhua nga Banx &Ranx, të cilët më herët kanë punuar me Dua Lipën, David Guetta, Sean Paul, Ella Eyra, etj.

24-vjeçarja Ilira Gashi aktualisht ka kontratë me shtëpinë diskografike Four Music. Ajo punon në Los Angeles, Londër dhe Berlin. Babai i saj është nga Kosova, ndërsa e ëma nga Shqipëria. Vetë ajo u rrit në Brienz të Zvicrës.

/tvklan.al