Problem informaliteti, 34% e të punësuarve paguajnë sigurime me pagë minimale

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) publikoi së fundmi një studim të detajuar, nëpërmjet të cilit sugjeron se si mund të rritet efikasiteti i fondeve publike për të ulur varfërinë. Duke studiuar fenomenin e varfërisë nga grupet moshore, ILO vëren se një pjesë e madhe e përfituesve të transfertave sociale janë të moshuarit duke qenë se ata janë edhe grupmosha që vuajnë më shumë varfërinë. Ndaj për të shmangur varfërimin e mëtejshëm të moshës së tretë dhe për të përmirësuar jetesën e tyre, ILO sugjeron që qeveria shqiptare t’i japë prioritet skemës së pensioneve duke rritur pagesat mujore, sepse e vlerësojnë si skemën më efikase.

ILO raportoi se në vitin 2019, në Shqipëri përfituan pension të pleqërisë 729,816 persona, por ky numër do të rritet më tej, pasi vendi ynë është përfshirë në një proces të shpejtë të plakjes. Nga ana tjetër masa e pensionit është shumë poshtë pagës mesatare në vend, çka e ekspozon popullsinë e vjetër në moshë ndaj fenomenit të varfërisë. Në raportin e publikuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, reduktimi i varfërisë do të mund të arrihet duke marrë një seri masash që përfshijnë një reformë në tregun e punës, sidomos në drejtim të uljes së informalitetit.

Një studim në formën e anketës të realizuar nga ILO ka gjetur se në tregtinë me pakicë, informaliteti arrin edhe në 80% dhe kamuflohet si punë pa pagesë në biznesin e familjes.

Gjithashtu ILO sugjeron aplikimin e një skeme nga qeveria shqiptare që të ndalojë nënraportimin në fushën e pagave. Më shumë se 34% e të punësuarve paguajnë sigurime me pagë minimale, ndërkohë që në realitet, pagesat janë më të larta.

Me ndryshimin e Ligjit për Sigurimet Shoqërore në 2015, parashikon një rritje graduale e moshës e pensionit dhe periudhën e kërkuar të kontributit për një pension të plotë. Deri në vitin 2056, mosha e pensionit do të jetë 67 vjeç për të dyja gjinitë dhe periudha e kontributit për pension të plotë do të jetë 40 vjet.

Klan News