Nga Dorina Bilbili

Në vitin 2011 kryeministri britanik David Cameron gjatë një fjalimi të zjarrtë iu drejtua një deputeteje me fjalët: “Qetësohu e dashur!”. Menjëherë zoti Cameron u etiketua dhe kryqëzua si seksist dhe shprehja e tij si e papërshtatshme për t’u përdorur nga një burrë i kohëve moderne karshi një femre.

Edhe përkrahësit e zotit Cameron e cilësuan si një gafë të turpshme nga ana e tij. Gjuhë e cila e kthente një shoqëri (e cila trumbetonte barazi) shekuj pas, në kohën kur femrat këshilloheshin madje edhe publikisht të njihnin kufijtë e tyre.

Mbrëmë në prime-time (kulmi i shikueshmërisë), në televizon kombëtar, në një nga emisionet më të nderuara dhe ndjekura nga shqiptarët anë e mbanë botës, deputeti demokrat Arben Imami, ish-aktor dhe ish-ministër përdori një gjuhë jo etike dhe madje barbare kur iu drejtua figurës së femrës.

Teksa po nxirrte dufin për faktin që nuk është në listat e PD-së për deputetë në zgjedhjet e qershorit, zoti Imami tha:

“Nuk mund të hiqet Jozefina Topalli, nuk mund të hiqet Jozefina Topalli, nuk mund të hiqet! Dhe të marrësh të fusësh në lista shtëpiake që s’kanë bërë dy ditë punë për shkak se kanë pjellur 3 apo 4 fëmijë”.

Gazetari:

 …Po edhe ato kanë dhënë kontribut…

Imami:

Po patjetër për rritjen e pjellorisë në vend, por po flasim për gjë tjetër Blend, po flaism për politikë.

Deklarata e Imamit nuk është një shprehje “në nerv e sipër”, por fatkeqësisht është shëmbylltyrë se si shihet femra në shoqërinë tonë, nga ata që mendojnë si Imami.

Në kulturën shqiptare shumë të seksualizuar dhe tradicionalisht të mbizotëruar nga meshkujt, për fat të keq janë femrat që kanë vuajtur peshën e vërejtjeve seksiste mashkullore. Kur një femre i thua që “pjell”, duke e barazuar me kafshët, apo që një femër që sjell në jetë mbi 3 fëmijë nuk është e denjë për politikë, është e panevojshme të shpjegosh që kemi të bëjmë me një gjuhë krejtësisht seksiste dhe ofenduese.

Është e turpshme, poshtëruese dhe shqetësuese për një grua që të shihet në një mënyrë të tillë nga një mashkull.

Prof. Rhoda Reddock, shkruan në librat e tij mbi sjellen se …”gjuha nuk është thjesht shprehje kuptimi. Ajo formon mënyrat në të cilat ne e kuptojmë veten dhe njëri-tjetrin”.

Në një shoqëri ku nga gratë pritet të kujdesen për punët e shtëpisë dhe fëmijët, duket e pamundur ose e vështirë për meshkujt që t’i shohin zonjat me disa fëmijë si profesioniste të afta jashtë shtëpisë.

Fjalët janë mjete të mendimit.

Përmes fjalëve mund të ruajmë një “status quo” ose mund të ndryshojmë realitetin.

Një numër i madh njerëzish po protestojnë, edhe pse vetëm në rrjet, në emër të të gjitha atyre nënave që dje Imami (bashkë me të tjerë që ndajnë botëkuptim të njëjtë me të), i etiketoi si shtëpiake që pjellin, jo të afta për politikë.

Sipas “Forbes” ndër femrat e politikës më me ndikim në botë, si Sonia Gandhi, Michelle Obama, Kristina Fernandez, etj, janë nëna të më shumë se 1 fëmije. Siç ka dhe femra të pushtetshme e sukseshme që nuk kanë fëmijë, rasti i Angela Merkelit. Por ky nuk përbën etalon matës për sukses, qoftë edhe në politikë. Fëmijët në vend të pengesës për karrierën politike të prindërve, janë bërë pjesëmarrës edhe në seanca plenare, kujtojmë rastin (në foto) të eurodeputetes italiane Licia Ronzulli, e cila merrte të bijën Vittoria, gjatë seancave të Parlamentit Europian.

Me mendësi e ligjërime të tilla në elitën e politikës së vendit nuk më habit fakti që ne ende kemi një listë të gjatë të pabarazive gjinore që duhen rregulluar.

Dhe këto rregullime duhet të nisin nga gjuha!

Është më e lehtë të fillosh të thuash “sjell në jetë” në vend të “pjell” sesa të ndryshosh hendekun e pagave nesër.