“Njerëz të tillë mësimet i marrin në internet”

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman në Vjenë, Usam Alimi, njëherazi edhe Imam në një xhami të kryeqendrës austriake, thotë se sulmuesi i vrarë nga policia austriake, Kujtim Fejzullahi, nuk e ka frekuentuar xhaminë e tij. Ai në një prononcim për Klan Macedonia thotë se, njerëzit e tillë, as që i frekuentojnë xhamitë, pasi sipas tij, mësimet i marrin përmes internetit.

“Jo, unë as nuk e njoh. Jam tre vite këtu në Vjenë, nuk e kam parë si fizionomi as si fytyrë. Nuk e kam parë asnjëherë në xhaminë time aty ku unë jam imam. Besoj dhe jam fort i bindur që njerëzit të cilët kanë prirje të tilla nuk i frekuentojnë xhamitë. Më besoni, njerëzit e tillë mësimet e tyre i marrin nga interneti në mënyrë direkte, se sa që frekuentojnë xhamitë e caktuara”, tha ai.

Komuniteti Mysliman i Vjenës, siç tha Imami Usam Alimi, për momentin është i përqendruar për ta ndihmuar Familjen Vrenezi nga Struga, ku i riu 21-vjecar Nexhip Vrenezi, ishte njëri ndër viktimat e dorasit Kujtim Fejzullahit.

“Kemi qenë afër dhe kemi mbështetur moralisht edhe familjen Vrenezi djalin e vrarë nga Veleshta e Strugës që të përgatitim kufomën dhe e njëjta të vijë në Maqedoni. Pra kemi qenë në rrjedha, jemi munduar që të japim kontributin tonë aq sa na është mundësuar, që kjo situatë të tejkalohet pak më lehtë për komunitetit tonë shqiptarë këtu në Austri”, tha ai.

Imami Alimi, thotë se ngjarja ka tronditur komunitetin mysliman dhe shqiptarë në Austri. Të gjithë e kanë dënuar, thotë ai, duke shtuar ata që bëjnë një akt terrorist ndaj njerëzve të pafajshëm janë njerëz që nuk e kanë njohur Zotin, nuk e kanë njohur Islamin dhe janë shumë larg mësimeve të Profetit Muhamed.

Klan Macedonia