Imami: Kemi informacione për negociata për bashkëqeverisje mes PD-së dhe PS-së



Imami: Kemi informacione për negociata për bashkëqeverisje mes PD-së dhe PS-së

12:41 06/05/2021

Grupimi për PD-në ka dalë në një konferencë për shtyp këtë të enjte ku listoi arsyet pse kërkojnë largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë. Mes demokratëve që kërkojnë largimin e Bashës janë edhe Arben Imami e Bujar Nishani. Si dy figura kryesore në këtë parti, ata u pyetën nga gazetarët nëse kanë informacione për negociata të mundshme që po zhvillohen mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste për një bashkëqeverisje.

Arben Imami tha se ka informacione të tilla. Ai u shpreh se negociatat kanë filluar që në marrëveshjen e 2017-ës mes Ramës e Bashës dhe kanë qenë të pandërprera. Pas kësaj ka vijuar me dy dështime të mëdha, sipas tij, me humbjet në zgjedhjet e 2017-ës dhe 2021-shit.

“Po kemi informacion. Përpjekja për negociata ka filluar më 17 Maj të vitit 2017, ka qenë e pandërprerë, ka pasur vetëm këtë qëllim dhe ka dy dështime të mëdha, zgjedhjet e 2017 dhe zgjedhjet 2021. Vijimi i kësaj rruge kuptohet se ku çon në 2025 dhe më tutje”, tha Imami.

Nga ana tjetër, ish-Presidenti Bujar Nishani, i cili mban edhe rolin e kryetarit të Këshillit Kombëtar në PD se nuk ka informacione personalisht për një gjë të tillë, por vetëm ato që ka lexuar në lajmet që kanë qarkulluar së fundmi. Sipas Nishanit, një bashkëqeverisje me socialistët do të ishte thikë pas shpine për PD-në dhe tradhti ndaj kësaj partie.

“Personalisht nuk kam informacione, por sot kanë qarkulluar disa lajme në media. Kur ka kulisa është e pamundur të marrësh informacione, por media është e vetmja mundësi dhe mekanizmi që mund të denoncojë kulisat që bëhen. Nëse ka një tentativë të tillë është një tentativë, e cila do të realizonte atë që është droja më e madhe e opinionit publik, drojë që ka ekzistuar edhe brenda PD-së, tentativa dhe synimi për ta kthyer PD-në në një aneks të projektit të Edi Ramës dhe atyre që kanë kryer masakra elektorale. Të projekteve që kanë kryer dhe kanë realizuar ,mbajtjen e pushtetit dhe kjo do të ishte asgjesimi përfundimtar i PD-së. Jam i bindur që edhe nëse ndodh kjo tradhti e madhe, kjo tentativë për të asgjesuar PD-në, apo për ta kthyer në një aneks të padobishëm për qytetarët, por të dobishëm për projektin e asgjesimit përfundimtar të alternativës qeverisëse në Shqipëri sepse në një shoqëri demokratike ku nuk ka alternativë qeverisëse atëherë demokracia reale nuk ekziston. Nëse rezulton e vërtetë do të ishte thika pas shpine më e helmatisur që mund t’i jepej PD-së”, tha Nishani./tvklan.al










Të ngjashme