Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Turqi ka shpallur të mërkurën kandidatin e partisë opozitare CHP, Ekrem Imamoglu, si fitues të zgjedhjeve lokale për bashkinë e Stambollit.

Imamoglu mori zyrtarisht mandatin e kryebashkiakut pas rinumërimit të pjesshëm të votave në Stamboll me kërkesë të Partisë së Erdogan, e cila akuzoi Imamoglu për manipulime.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, humb kështu bashkinë me 16 milionë banorë të Stambollit pas më shumë se 25 vitesh që drejtohej nga partia e tij.

Sipas Komisionit Qendror të zZgjedhjeve Imamoglu fitoi 4 1169 765 vota, 13 729 vota më tepër se ish-kryeministri dhe ish-kryetari i parlamentit turk nga radhët e partisë së Erdgoan, Binali Yildirim, i cili mbeti në kuotën e 4,156,036 votave.

Megjithëse Imamoglu mori mandatin e kryebashkiakut të metropolit turk, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të administrojë provat e paraqitura nga AKP dhe MHP për anulim të zgjedhjeve në Stamboll.

Stambolli, qyteti me 16 milionë banorë dhe 11 milionë votues, është metropoli më i rëndësishëm turk. Ky qytet është tepër i rëndësishëm edhe për jetën politike të Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili u prezantua në politikën turke duke fituar zgjedhjet lokale për këtë bashkinë e Stambollit në vitin 1994. Popullariteti në rritje i Erdogan pas fitimit të Stambollit bëri që ai të fitonte zgjedhjet parlamentare e më pas ato presidenciale.

Zgjedhjet e 31 Marsit në Turqi rezultuan një goditje e fortë për Erdogan, i cili humbi pjesën dërrmuese të bashkive të mëdha, përfshirë Stambollin, Ankaranë, Izmirin, Antaljan etj. /tvklan.al