Ish-prokurorja Elisabeta Imeraj dhe ish-zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, janë në një mendje për sulmin me armë ndaj televizionit Top Channel. Të ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ata u shprehën se sulmi është organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Elisabeta Imeraj: Është një mesazh. Për shkak të linjës editoriale, për shkak emisioneve të ndryshme, për shkak të biznesit, këtë nuk mund ta themi tani. Ajo që duhet të na shqetësojë më shumë është ai qytetari i shkretë. Ai qytetari i thjeshtë që në mënyrë të papritur për një rrogë dhe të mendosh se e lexova në disa portale sot, dëm kolateral. Është e tmerrshme ta shikosh jetën e individit si dëm kolateral. Është e tmerrshme të mendosh që ne ndërmarrim kaq shumë veprime qoftë edhe në rang të reformimit. Mbetemi pa gjykatë disa kohë dhe kjo quhet dëm kolateral. Mbetemi ku krimi i organizuar ecën me mjete të sofistikuar dhe gjykatës, prokurorë ecin me ritmë të ngadaltë. Është një mesazh i mirëfilltë i dhënë në mënyrën më të organizuar të mundshme. Për mua është krim i organizuar.   

Erzen Breçani: E mbështes mendimin e Elisabetës sepse është mjaft e organizuar dhe mirëorganizuar, në mënyrë perfekte. Nuk duhet të nisemi dhe të themi që është një dëm kolateral. Unë jam i bindur që këta persona të armatosur, edhe po tu kishte dalë përpara policia do kishte viktima. Këta persona kanë marrë një automjet dhe e dinë çfarë makinash ka policia në rrugë. Me këtë automjet e çajnë edhe makinën e policisë. Këta janë me mendje të ndame që themi ne. /tvklan.al