Kërkon informacion nga prokurorët e çështjes

Vendimi i dy prokurorëve Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako që mbyllen hetimet ndaj Lulzim Bashës dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD-së ka detyruar drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës të zhvillojë një takim me 3 prokurorët e çështjes.

Elisabeta Imeraj ka kërkuar nga dy prokurorët që dërguan në gjykim dosjen një relacion me shkrim se pse nuk e kanë pyetur shtetasin amerikan Nik Muzin në kohën që autoritetet amerikane kanë qenë dakord për marrjen e tij në pyetje.

Po kështu, Imeraj ka kërkuar edhe sqarime përse është përjashtuar nga gurpi hetimor Kolë Hysenaj, emri i të cilit nuk figuron në vendimin për mbylljen e hetimeve.

Prokurori Hysenaj mësohet se nuk ka qenë dakord me mbylljen e hetimeve pa u marrë në pyetje Nik Muzin, i cili konsiderohet një person kyç në këtë çështje.

Dy prokurorëve u është lënë tre ditë afat që të japin një përgjigje të argumentuar.

Prokurorët Tako e Karanxha e dërguan dosjen vetëm me akuzën e falsifikimit dhe rrëzuan atë të pastrimit të parave, për të cilën nisën hetimet dy vjet më parë, pas një shkrimi të revistës amerikane ‘Mother Johnes’.

Në shkrim hidheshin dyshime se 650 mijë Dollarë i ishin paguar Nik Muzin nga Binata Trade, një kompani me pronarë rusë, për llogari të Partisë Demokratike. Këto akuza janë mohuar vazhdimisht nga Partia Demokratike.

Gjithsesi, për dosjen e nisur drejt Gjykatës me firmë të dy prokurorëve Tako e Karanxha, do të vendose gjyqtari paraprak.

Tv Klan