Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Lezha tani me një impiant modern të përpunimit të mbeturinave. Sot Ministri i Transporteve Arben Demeti ka nënshkruar me Ambasadorin Italian në Shqipëri, Mario Bova kontratën për financimin e 3 miliard liretave për ndërtimin e këtij impiantit.

Ministri Demeti ka kërkuar që për ndërtimin e tij të përdoret teknologjia më moderne pasi vendi është pranë qytetit. Ministri Demeti shprehet për këtë eksperiencë të parë.

Arben Demeti, Ministri i Transporteve:- “Për ne është mjaft e rëndësishme që të fusim në Shqipëri një eksperiencë të re të grumbullimit, transportimit, depozitimit dhe përpunimit të këtyre mbetjeve. Ju e dini që në Shqipëri gjithmonë ka qenë problematike një problem i tillë dhe prandaj i kemi vënë shumë rëndësi këtij projekti të parë. E kemi theksuar dhe me palën italiane që të fillojë dhe të realizohet me sukses, për të qenë një eksperiencë e re, e mirë në këtë drejtim për të vazhduar pastaj dhe me të tjerat”.

Ndërkohë kryetari i Bashkisë së Lezhës Njazi Reçi thekson se pastrimi i mjedisit nëpërmjet impiantit do të sjellë dhe rritjen e turizmit.

Njazi Reçi, Kryetari i Bashkisë së Lezhës:- “Lezha si vend bregdetar dhe që ka resurse për turizmin dhe zhvillimin në përgjithësi ekonomik dhe social të tij, pastrimi është një ndër faktorët përcaktues në ardhjen e investimeve të huaja të turizmit dhe shumë probleme të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin e qytetit”.

Pala italiane ka marrë përsipër ta menaxhoj për një vit këtë impiant dhe më pas së bashku me një sasi mjetesh do ti dhurohet Bashkisë së Lezhës./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego