Importet e energjisë rrezikojnë të prekin buxhetin

Importet e energjisë rrezikojnë të prekin buxhetin

15:44 31/10/2019

153.6 milionë Euro, blerja e energjisë për Janar- Nëntor

Përveç goditjes së dhënë, tashmë në ngadalësimin e rritjes së prodhimit të brendshëm kombëtar, situata e rëndë e prodhimit të energjisë elektrike rrezikon të prekë buxhetin e shtetit.

Burime për televizionin Klan bëjnë me dije se fatura e lartë e importeve, që pritet të bëjë kompania e shpërndarjes së energjisë mund të kërkojë aplikimin e saj për një kredi financiare, duke bërë që garant të dalë qeveria, e si pasojë kjo garanci do të kontabilozohet si borxh duke rritur nivelin e tij për 2019.

Deri tani, prodhimi i energjisë nga Korporata Elektroenergjitike ka arritur në 2133 giga vat orë, duke arritur një shifër më të ulët edhe se viti 2004 dhe 2007, kur kriza energjitike goditi vendin.

Në pamundësi për të realizuar furnizimin, Operatori i Shpërdarjes së Energjisë ka blerë energji në treg të lirë dhe import përgjatë të gjithë muajve të vitit, duke bërë që fatura për importet të arrijë në fund të tetorit 135.6 milionë Euro.

Së fundi, OSHEE ka nisur një tjetër kërkesë për të furnizuar vendin me energji për muajin nëntor për një sasi energjie prej 18 milion eurosh, duke kapur një rekord importesh për këtë vit prej 153.6 milion eurosh.

Çmimi i importit është rritur ndjeshëm në fund të këtij viti, ku në dy prokurimet e fundit, OSHEE ka arritur që të blejë një megavat për një çmim mesatar prej 75 Eurosh.

Niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës ka arritur 274.2 metra, duke u ulur me 4 metra krahasuar me shtatorin. E vetmja shpresë tashmë, për kompanitë e këtij sektori është që në dy muajt e fundit të vitit të ketë shtim të reshjeve të shiut.

TV Klan




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi