Temperaturat e ulëta dhe i ftohti kanë ulur ndjeshëm prodhimin e energjisë në vend, duke detyruar kompaninë e shpërndarjes së energjisë që të importojë më shumë se gjysmën e energjisë elektrike për muajin janar.

Deri tani OSHEE ka shpenzuar 28.8 milion Euro për blerjen e energjisë për periudhën 1 deri më 17 Janar, ndërsa i duhet një tjetër buxhet për të siguruar energji edhe për pjesën e mbetur të muajit.

Për ditët e para të vitit kompania bleu energji në sasinë e 257.2 mijë megavat orë energji me një çmim mesatar që varioi nga 74.3 në 87.6 Euro për megavatorë, ndërsa në tenderin e dytë blerja e energjisë u vështirësua për shkak se ofertat nga operatorët ekonomikë nuk jepnin sasinë që kërkohej.

OSHEE u detyrua që të hyjë në negociata me 6 raunde me bizneset që tregtojnë  energji, ku në fund arriti që të merrte një çmim nga 88 në 103 Euro për megavat orë.

Deri në fund të muajit ngricat dhe dëbora do të mbajnë peng prodhimin e energjisë në vend, pasi niveli i ujit në kaskadën e Drinit nuk do të arrijë të ngrihet dhe KESH do të vijojë prodhimin e energjisë në sasi të reduktuara. Aktualisht 30% e konsumit në vend prodhohet nga korporata dhe 70% blihet në treg të lirë.

Tv Klan