Një shtegtar shprese e konsideron Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj, Papa Françeskun. Ndërkohë që sipas tij, gjatë papatit të tij ai dëshmoi se ishte zëri i më të dobëtëve, të varfërve, emigrantëve, por edhe në zë për ndalimin e luftërave, si dhe në mbrojtje të klimës.

Në një intervistë për Klan News, imzot Dodaj foli edhe për njohjen me Françeskun, që në 2013, kur ai u zgjodh Papë. Për Arqipeshkvin Dodaj vizita e Papa Françeskut në Shqipëri në 2014, ishte dhe një shënjim i papatit të tij.

Këtë të mërkurë arkëmorti i Papa Françeskut u vendos në bazilikën e Shën Pjetrit. Imzot Dodaj foli dhe për zgjedhjen e Papës së ri, e cila do të jetë kohë sa të nxjerrë tym të bardhë.

Ditën e enjte, më 24 prill, në orën 18:00, në katedralen e Shën Palit në Tiranë do të kremtohet mesha për shpirtin e Papa Françeskut. Në këtë kremtim do të marrin pjesë të gjithë ipeshkvijtë e dioqezave në vendin tonë dhe janë të ftuar të gjithë besimtarët të bashkohen në lutje për shpirtin e Papa Françeskut, që aq shumë e deshi vendin tonë.

Klan News