Inaugurohet autostrada, Beograd-Shkup për 3,5 orë

Inaugurohet autostrada, Beograd-Shkup për 3,5 orë

13:10 19/05/2019

Kryeministri Zoran Zaev së bashku me Presidentin serb Aleksandar Vuçië ka marrë pjesë në hapjen solemne të krahut jugor të Korridorit 10 në pjesën e rrugës në Grykën e Gërdelicës në Vlladiçin Han. Me hapjen e aksit jugor të Korridorit 10, do të mundësohet lidhje e Beogradit me Shkupin, me çka koha e udhëtimit do të shkurtohet deri në tri orë e gjysmë.

Nga Shkupi në Beograd për tri orë e gjysmë, kurse nga Tabanoci deri në Horgosh të Hungarisë rreth pesë orë. Ka përfunduar krahu jugor i Korridorit 10 në Grykën e Gërdelicës në Serbi, ku edhe zyrtarisht u lëshua në përdorim. Në këtë manifestim, përpos Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, Kryeministres Ana Bërnabiç, Presidentit të Republikës serbe Milorad Dodik dhe përfaqësues të korit diplomatik në Beograd, kanë marrë pjesë edhe Kryeministri Zoran Zaev dhe Ministri për Transport dhe Lidhje Goran Sugarevski.

“Korridori 10 tani mori formën. Një vlerë e vërtetë e lidhjes dhe komunikimit. I vendosim mekanizmat e Shengenit në kufijtë e dy vendeve tona, e sjellim Evropën këtu, në Ballkan. Ky projekt i përbashkët paraqet edhe një shembull për miqësinë mes dy vendeve tona që çdoherë ka qenë në nivel të lartë”,

deklaroi Kryeministri Zoran Zaev.

Autostrada, para së gjithash do të ketë një rëndësi të madhe për zhvillimin e rajonit, për investime të reja, për hapjen e fabrikave dhe hapjen e vendeve të reja të punës – ka theksuar Presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

“Në krahun jugor të Korridorit 10 do të kalojnë të gjithë nga ky rajon, por edhe nga Evropa. Rrugët janë mënyra për t’u shëruar plagët, të mbulohen shkaqet, të harrohen të këqijat dhe të zbulohet drita në secilën errësirë, madje edhe në këtë errësirën tonë ballkanike”- 

shprehet Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.

Krahu jugor i Korridorit 10 është në gjatësi prej 26.3 kilometra, Është pjesë e korridorit panevropian që lidh Salcburgun e Austrisë me Velesin e Maqedonisë. Ndërtimi i tij kishte filluar në vitin 1970, kurse afatet e ndërtimit disa herë janë tejkaluar. Aktivitetet në grykën e Gërdelicës kishin filluar në vitin 2013 dhe ishin harxhuar plot gjashtë vite për shkak se kjo pjesë ka 36 ura dhe dy tunele. Vlera e investimeve në këtë pjesë kap shifrën e 350 milionë eurove, mjete këto të siguruara nga kreditë e Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane të Investimeve. /Klan Maqedoni/

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT