Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Sot në orën 11 u inaugurua hapja e shkollës në institutin e riedukimit në Vaqarr, nën kujdestarinë direkte të ministrit të Drejtësisë Imami. Në ceremoni merrnin pjesë ministri i Drejtësisë Arben Imami, ministri i Arsimit Et’hem Ruka, nga trupi diplomatik, zonja Lidra Mejdani dhe komunitetet fetare. Në fjalën e tij të hapjes zoti Imami tha:

Arben Imami, Ministri i Drejtësisë:- “Më lejoni t’ju falënderoj për ato që keni bërë në ndihmë të sistemit të drejtësisë në përgjithësi dhe për atë që është bërë dhe pritet të bëhet për të lehtësuar barrën e këtyre qytetarëve dhe të familjarëve të tyre”.

Në këtë shkollë do të studiojnë 36 të burgosur minoren, të moshës nga 15-18 vjeç. Më pas nxënësit hynë në shkollën e tyre, të ndarë në tre klasa, ndërkohë që drejtori i këtij instituti Vojo Tashi, i shoqëron të ftuarit nëpër klasat e përgatitura më së miri./tvklan.al