Xhamia e Plumbit hapet për besimtarët dhe vizitorët. Rreth 2 vite pas nisjes së punimeve, restaurimi i objektit të kultit në Shkodër ka përfunduar dhe është bërë inagurimi.
Pas prerjes së shiritit kryetari i bashkisë së Shkodrës Benet Beci thotë se rihapja e objektit monument kulture të kategorisë së parë do t’i japë një tjetër hov turizmit në Shkodër.
“Rikthimi i saj për qytetin është edhe një dhuratë, por edhe një mundësi për t’u vizituar, Kjo është zona historike që ne në këtë moment kemi bërë një projekt, i cili e përfshin dhe kjo pjesë e projektit do të jetë një vlerë e shtuar e hyrjes së Shkodrës, e zonës historike të Shkodrës”, shprehet kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.
Për myftiun e qytetit përfundimi i restaurimit është një ëndërr e bërë realitet.
“Xhamia e Plumbit del nga bataku i përmbytjes dhe nga bataku i neglizhencës shekullore dhe merr një pamje të re dhe hyn në një erë të re që e mban të lidhur me shpirtin shekullor të saj. Është një ëndërr e realizuar”, thotë Muhamed Sytari, myftiu i Shkodrës.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe ambasadori i Turqisë në vendin tonë Tayyar Kagan Atay i cila tha se mbështetja e Turqisë për restaurimin e xhamisë që u dëmtua nga përmbytjet është një simbol i vëllazërisë mes dy vendeve.
Klan News