Kryeministri i vendit Edi Rama ka zhvilluar një takim me qytetarët në Fier. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Kryeministri Rama e ka drejtuar vëmendjen dhe tek impianti i trajtimit të mbetjeve në këtë qytet, për të cilin ka thënë se është një vepër e rëndëishme dhe e prekshme në jetën e banorëve të Fierit.

Rama ka shtuar se për këtë impiant nuk mund të flitet për 450 milionë euro të vjedhura pasi sipas Kryeministrit kjo shumë parash nuk është derdhur. Rama ka paralajmëruar gjithashtu se ata që marrin përsipër të bëjnë një rrugë e 2 punë, atë për objektivin dhe atë për xhepin e vet, enë ka vendin diku tjetër teksa ka shtuar se nuk mund të përbalten të gjithë njësoj.

Edi Rama: Ju kujtohet se çfarë bëhej këtu apo jo? Njëherë këtu kam jam unë, ishte llum, nuk kishte fare asgjë. Atëherë si bëjmë? Vetëm duke ecur drejtë dhe duke bërë më të mirën. Si mundet ne ta pranojmë se një vepër kaq e rëndësishme, kaq domethënëse dhe kaq reale, e prekshme në jetën e banorëve të Fierit, për mushkëritë e fëmijëve, të të moshuarve dhe të të gjithë atyre që jetojnë në Fier, siç është impianti i trajtimit të mbetjeve, i cili na ka dhënë mundësinë ta fshijmë atë kodrën e turpit të plehrave që rrinte aty dhe qelbte gjithë ajrin e Fierit prej 30 vjetësh, të kriminalizohet për shkak se në procesin e ndërtimit të këtyre impianteve ka pasur veprimtari korruptive? Si mund të flitet për 450 milionë euro, si mund të vidhen paratë që nuk janë derdhur? Si mund të flitet? Është një përrallë. Impianti është aty dhe kodra që tymoste, nuk është aty. Nëse nisemi në një rrugë për të arritur një objektiv dhe në atë rrugë dikush nga ne bën 2 rrugë, edhe punën për objektivin edhe punën për xhepin e vet, ne të tjerët nuk mund të përbaltemi njësoj. Ai e ka vendin diku tjetër, nuk e ka vendin në rrugën tonë dhe ata që bëjnë të tilla, ata dënohen. Nuk kriminalizohet rruga jonë e përbashkët dhe gjithë puna që ne bëjmë dhe veprat që ne ndërtojmë sepse janë aty dhe janë në shërbim të njerëzve, këto janë prona publike./tvklan.al