Rezultatet dhe jo procedurat. Është kjo ajo që shikon kryeministri Edi Rama nga inceneratorët në Tiranë, Elbasan dhe Fier. Kreu i qeverisë foli këtë të mërkurë për këtë çështje pasi  pyet nga gazetarët.

Ai tha se nëse me procedurat ka probleme, janë instancat përkatëse që merren zgjidhjen e saj dhe jo ai vetë. Megjithatë kreu i qeverisë tha se janë bërë shumë shpifje me modernizimin që i është bërë trajtimit të plehrave.

“Shikoni gjendjen e plehrave sot dhe dje. Shikoni si ishte dje Sharra, Elbasani, si është Fieri akoma edhe për pak kohë. S’janë fare punët e mia këto. Procedurat nuk janë punët e mia, nuk merrem me procedura. Unë shoh rezultatin. Nëse ka probleme me procedurat, ato i zgjidhin institucione të tjera, jo unë. Di një gjë, që shpifje, akuza, sajesa, fabrikime, marrëzira, më shumë se këtë herë të grumbulluara bashkë në sulm kundër një modernizimi fantastik që është bërë, sepse është fantastik ajo që është bërë. Kush nuk sheh atë, ose nuk do të shohë dhe këmbëngul të mos shohë ose pastaj është i pashërueshëm nga verbëria e shkaktuar prej mllefit. Është fantastike ajo që ka ndodhur. Standarde ndërkombëtare të nivelit 1, a. Pastaj procedurat nuk janë punët e mia fare”, tha Rama.

Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK dy padi, për inceneratorin e Tiranës dhe të Elbasanit./tvklan.al