Çështja e inceneratorit të Tiranës ishte tema e diskutimit në emisionin “Opinion” në Tv Klan. E ftuar në studio ishte Briseida Shehaj, e cila ka denoncuar vazhdimisht këtë rast. Ajo dha një shpjegim të thjeshtë për qytetarët se çfarë ka ndodhur me inceneratorin e Tiranës.


Blendi Fevziu: Një njeri pyet pse SPAK-u ka kërkuar arrest për këta njerëz, pastaj të them pse nuk ka kërkuar për të tjerët?

Briseida Shehaj: Ka kërkuar shteti këtë celularin dhe ky celulari që kushton 100 Lekë, ai grupi i punës atje ka thënë ky celulari kushton 200 milionë lekë. Ja kjo është gjithë historia për çfarë i ka arrestuar SPAK-u ata.

Blendi Fevziu: Është fryrje e shifrave?

Briseida Shehaj: Totalisht fryrje.

Kujtojmë se disa ditë më parë SPAK njoftoi lëshimin e disa urdhërarresteve në kuadër të hetimeve për dosjen për inceneratorin e Tiranës.

Tetë janë shkeljet që SPAK thotë se ka gjetur nga hetimet. Mes tyre është dhe fakti që anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave nuk kanë hartuar dokumentacionin për zhvillimin e kësaj procedure, por i gjithë procesi është kryer nga punonjës të biznesmenit Klodian Zoto.

Një tjetër shkelje e evidentuar nga prokuroria gjatë këtij hetimi është studimi i fizibilitetit, që është kryer në mënyrë fiktive. Kjo, pasi SPAK ka zbuluar se ajo është realizuar përmes të dhënave të marra nga kompania “Integrated Energy BV”, e cila ka rritur kostot.

Prokuroria e Posaçme gjithashtu thotë se për të funksionuar kjo skemë është dashur kontributi i Vladimir Bezhanit, i cili sipas SPAK ka qenë ura lidhëse mes Ministrisë së Mjedisit dhe kompanisë koncesionare. Me rolin e këshilltarit të jashtëm të ministrit të Mjedisit, Bezhani ka përfituar si rryshfet një shumë prej 75 milionë Lekë.

Ndërsa Alqi Bllako ka përfituar nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri 119 mijë Euro me qëllim favorizimin “Integrated Energy BV”.

Sakaq, dy pronarët e kompanisë Zoto e Mërtiri kanë paraqitur fatura fiktive për punime të pa kryera duke përfituar rreth 400 milionë Lekë, një pjesë e të cilave janë tërhequr cash dhe dërguar jashtë Shqipërisë./tvklan.al