Goditet Policia, dyshohet për 1 serb të plagosur

Një person i kombësisë serb dyshohet të jetë të plagosur pas të shtënave me armë nga Policia e Kosovës. Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë serbe, Petar Petkovic deklaroi se i plagosuri M.D. është transportuar me urgjencë në spitalin e Kralevës.

Sipas tij, njësitë policore të Kosovës “kanë qëlluar” automjetin “vetëm sepse nuk kanë dashur të lejojnë që policia t’i keqtrajtojë pa asnjë bazë dhe arsye”.

Petkoviç, tha se në veturë, ishte edhe D.S, i komunitetit serb, i cili nuk ka pësuar lëndime. Policia ka konfirmuar për të shtënat me armë zjarri në një pikë kontrolli në Leposaviç.

Sipas Policisë së Kosovës, ata janë detyruar të shtënë në veturë pasi janë sulmuar në një pikë kontrolli nga vetura kur kanë tentuar ta ndalojnë atë.

“Njësia policore e cila ka qenë në pikë kontrolli, gjatë realizimit të detyrave policore ka tentuar ta ndalojë veturën, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri. Personat e dyshuar, së bashku me mjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes”.

Lidhur me këtë rast, sipas policisë është njoftuar inspektorati i policisë, ndërsa janë duke vazhduar hetimet.

Ka reaguar Lista Serbe e cila e ka akuzuar kryeministrin, Albin Kurti për dërgimin e njësive policore në veri të Kosovës. Sipas Listës Serbe, Policia e Kosovës, qëllimshëm ka qëlluar për ta vrarë serbin, i cili sipas tyre vetëm është plagosur.

Tv Klan